Përdorimi i makinës zyrtare gjatë fundjavës apo ditëve të festave, krijoi një precedent të mirë në Kuvendin e Shqipërisë, kur drejtuesit e tij, kthejnë lekët pas për këto shpenzime.

Ilir Meta, Sali Berisha, Valentina Leskaj dhe Shpëtim Idrizi, janë aktualisht duke shlyet detyrimet pranë Kuvendit. Kjo konfirmohet në një memo që Albana Shtylla i dërgon Byrosë së Kuvendit për shpenzimet e vitit 2016, ku ndër të tjera flitet dhe për detyrimet e shlyera nga legjislativi.

“Në stafin legjislativ janë shlyer detyrime si më poshtë: Detyrime në zbatim të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009, i ndryshuar për përdorimin e mjetit edhe gjatë fundjavave apo ditëve të festave. Z. Ilir Meta ka shlyer detyrimin me 25.000 lekë nga 50.000 lekë që e përcakton ligji. Shlyerja e detyrimit të mbetur me 25.000 do t’i mbahet në pagat e dt. 1.12.2016. Z. Shpëtim Idrizi dhe znj. Valentina Leskaj kane shlyer detyrimin për 40 000 lekë.

Në pagat e nëntorit që paguhen më datë 1.12.016 përfundon detyrimi i 50.000 lekëve. Vlen të theksohet se për z. Ilir Meta është menduar të mbahet vlera në këtë mënyrë pasi nuk mund të mbahej e gjithë vlera pa u konsumuar veprimi i përdorimit të mjetit, po kështu edhe për dy nënkryetarët.

Ato nëpërmjet sekretareve janë shprehur për mbajtjen e detyrimit në vlerën 5000 lekë për çdo muaj. Në shpenzimet e muajit Tetor të cilat paguhen më 20.11.2016, do të mbahet edhe detyrimi i fundit 49.024 lekë për z. S.Berisha, për shpenzimin e karburantit të përftuar nga Kuvendi gjatë kohës që në zbatim të urdhrit nr.2747 dt.10.9.2016 këtë shpenzim e ka përfituar njëkohësisht edhe nga Këshilli i Ministrave, sipas Memos bashkëlidhur për informacionit të realizimit”, thuhet në dokumentin që mban firmën e Albana Shtyllës.