Nga qyteti i Beratit, kryeministri Edi Rama tha se thirrjet për përmbysjen e qeverisë me dhunë i ka parë Shqipëria edhe në të shkuarën, por sipas tij me kalimin e viteve kishte menduar se “budallallëqe të tilla kishin marrë fund”.

Rama tha se qeveria dhe maxhoranca nuk preken, por të vetmit që dëmtohen këtu janë qytetarët.

“Thirrjet për ndryshimin e qeverisë me dhunë i ka parë Shqipëria dhe kujtuam se nuk do bëheshin më budallallëqe të kësaj natyre. E vetmja gjë që nuk preket është qeveria. Nuk preket dot. Përkundrazi po të ishte për qeverinë dhe shumicën në parlament, as nuk t’i hynim fare këtij muhabeti dhe këtyre rreziqeve. Por preket Shqipëria, sepse shfaqet si një vend ku nuk duhet shkuar për të investuar dhe për ta vizituar. Pra preket çdo familje dhe çdo individ që jeton në Berat. Nëse urën për të ardhur këtu e kalojnë më pak vizitor, ka më pak para që qarkullojnë këtu dhe më pak para për ata që ndërtojnë biznese të vogla apo bujtina. Pra ka më pak lekë që shkojnë në shtëpitë e tyre. Ata që nisen nga Berati apo çdo qytet tjetër për të shkuar pas Berihait, por duhet të kuptojnë se nuk kanë çfarë ti bëjnë qeverisë dhe as qeverisjes socialiste, por kanë ç’i bëjnë vetes. I bien vetes sepse mbyll tjetri dyqanin dhe shkon pas Berihait në Tiranë. Ai dyqani shet më shumë kur vijnë vizitore këtu”.