Presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar në një konferencë për shtyp se do të bëjë kallëzim penal për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, lidhur me akuzat e tij për “grusht shteti” ndaj Kushtetutës.

Kreu i shtetit bëri me dije se kallëzimi për ministren Gjonaj do të bëhet ditën e hënë. Ndërkohë që ka theksuar se pret nga ministrja e Drejtësisë që të japë dorëheqjen nga detyra e saj.

Presidenti Meta u shpreh se Gjonaj ka udhëruar botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke shkelur ligjin.

Bashkë me Gjonajn, Presidenti Meta bëri me dije se do të kallëzojë edhe disa funksionarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë

“Rezulton të jetë përfshirë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni për llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese duke përvetuar një kompetencë që Kushtetuta ja jep Presidentit. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur ligjin nr.74/2014 si dhe ligjin 115/2016. Sipas Kushtetutës, vendimin e KED nuk botohen as në Fletoren Zyrtare por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në pjesën e dedikuar për KED. Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë të drejtë që të dërgojë për botim në Fletoren Zyrtare aktet e KED.

Për këto arsye dhe prova të tjera që po sigurohen, brenda ditës së hënë do të depozitoj pranë Prokurorisë së Posaçme kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe jo vetëm. Duke qenë se ministrja e ka humbur besimin e Presidentit, do të mirëprisja brenda ditës së hënë dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë si një ish-ministre”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.