Në kuadër të festës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas, Presidenti i Republikës ka nderuar me Dekoratën e lartë “Naim Frashëri”, mësuesen Luiza Dule, e cila humbi jetën në një aksident tragjik në dhjetor të vitit 2018.

Luiza Dule ka qenë mësuese në shkollën “Selami Kodra” në Arrëz, Devoll. Ajo humbi jetën pasi pësoi një aksident automobilistik teksa shkonte për të dhënë mësim. Megjithëse ajo kishte kaluar me sukses një terapi për kurimin nga kanceri i gjirit, vijonte të ishte e emëruar në Arrëz të Devollit.

Për përkushtimin e saj ndaj detyrës së mësuesit ajo sot u vlerësuar nga Presidenti Meta.

“Në kuadër të Ditëve të 7 dhe 8 Marsit, vendosa të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Naim Frashëri”, Luiza Dule (pas vdekjes), mësuesen e ndjerë të shkollës “Selami Kodra” në Arrëz, Devoll, e cila humbi jetën në një aksident tragjik, në 19 dhjetor 2018, duke shkuar pranë nxënësve të saj të dashur.
Ky vlerësim është shprehje nderimi dhe respekti, për mësuesen e paharruar Luiza Dule, nënën dhe familjaren model, si edhe për të gjithë arsimtarët, veçanërisht për mësueset në mbarë vendin, simbole të përkushtimit dhe të sakrificave të pashembullta, për përhapjen e dijes dhe edukimit te brezat e rinj, duke sakrifikuar deri edhe jetën e tyre!”.