Shoqëria ‘Çamëria’ dhe përfaqësues të Partisë Drejtësisë, Integrim dhe Unitet, kanë zhvilluar këtë mesditë një protestë para ambasadës greke, në Tiranë, për të kundërshtuar negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa kërkojnë të bëhen transparente vendimet e marra mes dy vendeve.

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, në fjalën e tij tha se: "Nuk ka lindur ende ai burrë apo grua që ta heqë emrin e Çamërisë. Çamëria është gjallë, ne jemi në këmbë. Nuk mundemi dot të na kërcënojë një vend si Greqia me veto, kjo do të thotë arrogancë. Kemi të gjithë forcën për t’i thënë që për ne shqiptarët dielli lind nga perëndimi"

Më tej Idrizi komentoi marrëveshjen mes dy vendeve, duke thënë se nuk mund të negociohet integriteti i Shqipërisë, dhe se deti, toka, atdheu, varrezat janë amanet nga Zoti ndaj dhe duhet t’iu transmetohen brezave.

"Ne kërkojmë atdheun dhe atdheu jonë është Çamëria. I bëj thirrje popullit grek, kryeministrit të Greqisë: Ne shqiptarët e Çamërisë nuk kërkojmë të ndryshojmë kufijtë, por një ndjesë për të falur, që dy popujt të jetojnë si popuj miq. Populli grek të na pranojë në shtëpitë dhe vatrat tona. Gjithmonë do të na kenë përballë, të fortë, në këmbë.

I drejtohem Presidentit të Greqisë, na flet për të drejtat e njeriut, ndërkohë që nuk kam parë asnjë shqiptarë t’i japë përgjigje. Na flet për të drejtat, kur vendi i tij ka përzënë të gjithë komunitetit, nuk ka firmosur as konventën për të drejtat e minoriteteve. Për të nuk vlen e drejta e jetës, e përkujtimit, e varrezave, e minoritetit, e shkollimit. Më duhet t’i kujtoj sot Ramës, Bushatit, Bashës: Bënë varrezat e ushtarëve të rënë në territorin e Shqipërisë, që erdhën si pushtues. Gjermania naziste po hynte në Greqi dhe ushtarët grekë rrinin në trojet shqiptare. Zoti do drejtohet më i drejtë seç po tregohet i gjithë ky soj.

Ne jemi këtu edhe për të gjithë ato që përbëjnë identitetin e çdo shqiptari. Deti, toka, atdheu, varrezat nuk janë të pushtetarëve, por amanet nga Zoti, që ne duhet t’ia transmetojmë brezave. Ne nuk mund të negociojmë integritetin e Shqipërisë, por duhet ta ruajmë atë. Ne duam një marrëveshje, që të zgjidhen problemet mes dy vendeve, por ne duam një marrëveshje që të zgjidhen jo vetëm yshtjet që ka Greqia me Shqipërinë", shtoi kreu i PDIU.