Kryeministri Edi Rama ishte mesditën e kësaj të hëne në shtëpinë e re të familjes Rexhepi në Durrës, të cilët u prekën rëndë nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.

“Mendove për një jetime, faleminderit shumë. Respekte shumë për ju. Jeta kështu e ka. Tërmeti ishte një gjë e papritshme. Kam qëndruar 13 orë nën gërmadha, Luani është heroi dhe Rama që solli ndihmësat shumë shpejt”, tha Marjana, e cila humbi nënën e saj 74-vjeçare Nafije Rexhepi, si dhe shtëpinë, por fatmirësisht vetë u nxor e gjallë nga gërmadhat pas 13 orësh.

“Çfarë mund të bëjmë, do ta bëjmë me shumë përkushtim, deri në fund. Duhet të jemi maksimalisht transparente dhe të garantojmë procesin e rindërtimit me cilësi, sepse sfida është që të sjellim situatën më mirë seç ishte më parë. Ndërkohë po bëjmë dhe projektet e shkollave dhe spitaleve dhe besoj që do t’i kemi në funksion në fillim shtatorit kur fillon shkolla, ky është qëllimi im”, tha Rama në një bisedë me familjarët.

“#TiNukDoJeshKurrëVetëm Durrës – Në shtëpinë e re të Marjana Rexhepit. Mes dhimbjes për humbjen e pazëvendësueshme të nënës, nga pabesia e 26 nëntorit, ne u jemi dhe do t’u jemi pranë, megjithë zemër e me të gjitha mundësitë tona”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook krahas videos.