Pasi presidenti Ilir Meta deklaroi sot se në 8 prill i kishte dorëzuar kryeministrit Edi Rama një projekt-platformë, vjen një reagim nga ky i fundit.

Një një postim në Twitter, Rama mohon faktin se kishte marrë një platformë të tillë, ndërsa shkruan se ishte gati të ulej në një tryezë me Metën, opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la. Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura. Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin”, shkruan Rama.