Pasditen e sotme, kryeministri Edi Rama publikoi një video të montuar, ku ironizonte kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha për deklaratat e bëra në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi.

Ndërkohë, ka ardhur reagimi nga selia blu. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, është shprehur se Rama është i papërgatitur për krizën e shkaktuar nga COVID-19 dhe sulmon PD me video-montazhe.

Sipas Bardhit, shqiptarët kanë nevojë për mbështetje shëndetësore dhe ekonomike, dhe jo për sajesa, gjuhë të shfrenuar dhe fjalë boshe.

Reagimi i Bardhit: 

Pa ide, i vjetëruar dhe i papërgatitur Edi Rama përpiqet të heqë vëmendjen nga dështimet e tij, me sajesa, sulme banale dhe së fundmi edhe me videomontazhe për të sulmuar opozitën. Edi Rama bën mirë të marrë menjëherë propozimet e opozitës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, me para në dorë. Ata janë sot në hall dhe nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga shteti sepse Edi Rama e ka mendjen të bëjë videomontazhe kundër opozitës dhe jo të ndihmojë njerëzit. Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje shëndetësore dhe ekonomike, dhe jo për sajesa, gjuhë të shfrenuar dhe fjalë boshe. Çdo ditë e humbur sot kushton jetë!