Në bashkëbisedimin e tij me studentët në Facebook, Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk e kupton faktin që nuk dëshirojnë të dialogojnë për të arritur në një zgjidhje. Sipas kreut të qeverisë, kërkesat zgjidhen duke u ulur në bisedime në mënyrë për të pasur arritje konkrete.

Në rast të kundërt, Rama iu drejtua studentëve duke u thënë që të rrinë të vazhdojnë protestën dhe në këtë mënyrë nuk do të arrihet asnjë zgjidhje.

"Edhe rasti i fundit në Francë, vonesa në reagim dhe sidomos mosgatishmëria e menjëhershme për të dialoguar me ata që ishin në rrugë, çon në përshkallëzime që janë të padëshiruara. Eksperienca demokratike thotë se qëllimi i protestave demokratike të shtrohet një problem në tryezë me qeverinë.

S’doni të dialogoni? Është e drejta juaj! Rrini atje protestoni. Por mos mendoni që kërkesat duhet që ne t’i nxjerrim nga koka e secilit, t’i përpunojmë dhe ta bëjmë këtë një lojë kungulleshkash. Është e qartë, unë jam me çdo studentët dhe do isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshijjtë. Por për veten e tij dhe për shtëpinë e tij. Jam me çdo prind që mbështet çdo student që është aty për veten e tij", tha Rama.

Kryeministri foli edhe për ata që shpresojnë në një revolucion duke nisur nga protesta e studentëve, ndërsa përmendi edhe pedagogët që i janë bashkuar protestës.

"Askush nuk duhet ta provojë se qëllimet e përbashkëta arrihen me ultimatume dhe forma që nuk i njeh eksperienca demokratike. Këta profesorë që dalin nëpër banaqe se kujtojnë që ju erdhi dita apo të bëjnë ata tani një dhjetor të dytë, pavarësisht se çfarë flitet unë nuk hyj te ata kryeministra që mendojnë se i dinë të gjitha. Unë këtë punë mund ta bëj shumë më mirë sa më shumë të kem veshët hapur".