Ngjarja e shëmtuar e denoncuar nga emisioni “Fiks Fare” mbrëmjen e së martës, ku një baba përdhunonte sistematikisht vajzën e tij për 3 vite me rradhë nxiti një reagim të madh në opinionin publik. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kandidatja e Bindjes Demokratike për Durrësin, Valbona Sakollari.

Në një postim në Facebook, Sakollari shprehet e indinjuar për rastin, sepse sipas saj jemi kthyer në një shoqëri të përçunduar, që tallet e i bën presion viktimës. Një shoqëri “hienash”, e zhveshur nga çdo instikt për të reaguar, nga çdo ndjenjë dhembshuriepër fatkeqin. Ku po shkojmë!!!”

Për gjendjen e shoqërisë shqiptare, Sakollari fajëson qeverisjen dhe sistemin, që sipas saj kanë një pjesë të mirë të fajit.

“Përsa kohë ne vazhdojmë të mitizojmë individë të papërgjegjshëm, që gjithë shoqërinë e kanë kthyer në mjetpër t’i shpëtuar ndëshkimit, përsa kohë “të mëdhenjtë” nuk ndëshkohen, por dalin me rradhë në foltore e bëjnë moral, ky do të jetë rezultati…. një shoqëri “hienash”,– e mbyll postimin e saj Valbona Sakollari.

Postimi i plotë i Valbona Sakollarit:

Në realitetin grotesk shqiptar, ku ai që është më i përlyer dhe më i inkriminuar, del e bën moral, në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve dhe duket i shqetësuar për fatin e demokracisë dhe të insitucioneve dhe të sistemit, por e thënë shqip, i vetmi shqetësim është pushteti dhe karrigia, për fatin e qytetarit të thjeshtë nuk mendon askush. E indinjuar thellësisht nga rasti i denoncuar mbrëmë në emisionin investigativ “Fix Fare” mbi rastin e adoleshentes që dhunohej prej 3 vjetësh, brenda mureve të shtëpisë, nga babai “monster”, si individ, si qytetar, mbi të gjitha si nënë, kupton se sa rëndë është situata. Kemi arritur në pikën që “mjerë kujt i bie halli” e “Zoti e ndihtë”. Jemi kthyer në një shoqëri të përçunduar, që tallet e i bën presion viktimës. Një shoqëri “hienash”, e zhveshur nga çdo instikt për të reaguar, nga çdo ndjenjë dhembshurie për fatkeqin. Ku po shkojmë!!! Tashmë morali nuk transmetohet më as nëpërmjet përrallave e fabulave sepse s’kemi kohë t’ua tregojmë fëmijëve, por ngopemi me përralla e barcaleta idiote që tregojnë ata që paguhen (dhe jo pak) për të bërë të funksionojë gjithë ky mekanizëm që quhet shoqëri.

Dikush mund të thotë “po pse dhe për “babanë monster” fajin e ka shteti?”. Patjetër që një pjesë të mirë faji e ka qeverisja. Nëse do të humbisnim më pak kohë dukeu marrë me hallet e qejfet e 3-4 vetave dhe secili të dedikonte më shumë kohë për të bërë mirë punën e vet, nuk do të kishim institucione që nëpërkëmbin viktimën, nuk do të kishim policë që detyrojnë të dhunuarin të tërheqë padinë, nuk do kishim punonjës police që spiunojnë denoncuesit. Nëse sistemi do të funksiononte, ndoshta këta njerëz do i tuteshin ndëshkimit (atij ligjor/insitucional, e kam fjalën, se me Zotin secili merret vetë). Po përsa kohë ne vazhdojmë të mitizojmë individë të papërgjegjshëm, që gjithë shoqërinë e kanë kthyer në mjetpër t’i shpëtuar ndëshkimit, përsa kohë “të mëdhenjtë” nuk ndëshkohen, por dalin me rradhë në foltore e bëjnë moral, ky do të jetë rezultati…. një shoqëri “hienash”.