Megjithë kërkesat në rritje të biznesit vendas dhe të huaj për ndërtimin e porteve turistike, problemet e pronësisë mbeten thembra e Akilit për realizimin konkret të tyre. Ndërsa tashmë është kompletuar baza ligjore projektet prej miliona eurosh nuk nisin të zbatohen në terren për shkak të mosmarrëveshjeve me pronarët e tokës apo pushtetin vendor

Pas heqjes së moratoriumit të skafeve pritet që shumë shqiptarë që ua lejon buxheti familjar të blejnë një jaht. Detaria për hobi merr një koncept të ri, ndaj Durrësi duhet të përgatitet për "bum"-in e shpejtë të jahteve. Shenjat janë dhënë, pasi vit pas viti në Durrës po shtohet numri i velierave të vogla turistike që mbërrijnë në port. Ndërtimi i një porti ndërkombëtar jahtesh në Shqipëri është një domosdoshmëri e diktuar nga koha. Në të njëjtën kohë investitorët e huaj shfaqin interes për të vënë në shfrytëzim, bregdetin shqiptar, i cili pothuajse është krejtësisht i virgjër dhe shihet si një vend strategjik për zhvillimin e turizmit. Burimet e panumërta turistike dhe bukuria natyrore e bregdetit shqiptar rrisin kuriozitetin e turistëve. Por gjatë këtyre 22 viteve, pavarësisht interesit të lartë të investitorëve për ndërtimin e porteve turistike, vetëm një i tillë funksionon në vend dhe ai është jo i ligjshëm. Ky është porti i jahteve në Orikum i ndërtuar nga investitorë italianë, i cili u ndërtua paralelisht me “portin e Gjermanit” në Durrës, por ky i fundit nuk është funksional. Leja për ndërtimin e porteve jepet me vendim qeverie dhe për asnjë prej këtyre të dyve nuk ka vendim të Këshillit të Ministrave, pavarësisht se porti i Orikumit është në funksion.

Dështimi: “Porti i Gjermanit”, investim pa bazë ligjore

Në zonën e Kallmit u projektua në fillim të viteve '90 ndërtimi i një porti jahtesh. Ky port kishte kapacitete të vogla, pasi u konceptua për të mbuluar vetëm nevojat e qytetit. Pikërisht aty ku përfundon lagjja e Currilave, vëren gjurmët e një porti jo funksional, i cili herë pas here shërben vetëm për ankorimin e varkave të peshkatarëve të zonës. Porti është pagëzuar me emrin “Porti i Gjermanit” sepse në vitet 1994-95, dallgëthyesit nisën të ndërtoheshin në det nga një investitor gjerman. Por punimet u ndërprenë dhe durrsakët nisën ta identifikojnë këtë pjesë të bregdetit me emrin e sipërcituar. Porti ndodhet brenda vijës së verdhë të Durrësit, por pozicionimi i tij në afërsi të Kallmit deri tani ka qenë një dështim i plotë. Për durrsakët konsiderohet "port-fantazmë", për faktin se në të, edhe tani kur kanë kaluar 18 vjet nga fillimi i punimeve, nuk ekziston sinjalistika detare dhe as sistemi i çezmave, ndërkohë që nuk plotësohen kriteret më elementare të sigurisë.

Investitori gjerman gati dy dekada më parë, mori inisiativën për të ndërtuar një port, ku do të ankoroheshin rreth 200 veliera, të cilat do të sillnin turistë të huaj. Por marrëdhënia nuk ka qenë e ligjëruar me shtetin, sepse, në atë kohë, nuk ekzistonin proçedurat e dhënies me konçesion. Asnjë prej titullarëve të pushtetit lokal nuk di të thotë, pse porti i jahteve nuk u ndërtua dhe pse investitori gjerman e la investimin e tij në mes. Nga ajo çfarë mësuam në Kapitenerinë e Përgjithshme në Durrës ndërtimi i porteve nis pas miratimit me vendim qeverie, vendim i cili për këtë port nuk është marrë asnjëherë. Asnjë mjet lundues nuk mund të ankorohet në këtë port, sepse Kapiteneria, kur i jep leje një mjeti lundrues për t’u ankoruar diku, ka parasysh edhe sigurinë e tij, kushte këto që Porti i Gjermanit nuk i plotëson. Në vitet 1994-95 nuk ka pasur bazë ligjore për krijimin e porteve turistike, madje, as për portin e jahteve në Vlorë, nuk ka vendim qeverie.

Problemet e pronësisë mbajnë peng investimet e huaja

Sipas kryeadministratorit të ujërave shqiptare, Edmond Doraci, qeveria është duke hedhur themelet e një industrie të madhe turistike, enkas për jahtet.Vetëm në vitin 2007, me ligjin nr. 9710 të datës 10.04.2007, kanë nisur proçedurat për ndërtimin e porteve turistike. Pas krijimit të bazës ligjore investitorët e huaj kanë shfaqur interes, por nuk kanë mundur të investojnë. Duket se problemet e pronësisë mbeten thembra e Akilit. Megjithë interesimin e madh të të huajve, mosmarrëveshjet që lindin me pronarëve të tokave, apo pushtetin lokal për zhvillimin e sipërmarrjeve të mëdha turistike, është një prej vështirësive që nuk po gjen gjuhën e kompromisit. Rasti më konkret është ndërtimi i portit në Gjirin e Lalëzit, i cili prej mëse tre vjetësh ka mbetur peng i këtyre problemeve. “Gati bëhet e pamundur firmosja e kontratave, sepse shteti nuk merr përsipër zgjidhjen e këtyre problemeve”,- thotë kreu i Kapitenerisë së Durrësit, Edmond Doraci, i cili është edhe një prej anëtarëve të grupit të identifikimit dhe diskutimit të projekteve turistike. Një tjetër vend interesant për ndërtimin e një porti turistik duket se është kepi i Rodonit. Ai ka një pozicion strategjik në Adriatik, pasi konsiderohet si një ndalesë natyrale mes bregdetit dalmat dhe atij grek dhe si i tillë është shumë i rrahur nga velierat. Veç kësaj në këtë pjesë të bregdetit durrsak gjenden shumë ndërtesa qindra vjeçare si Kalaja e Skënderbeut, ajo e Ishmit, Bazilika e Gjuricajt, Kisha e "Shën Andout" etj., të cilët mund të tërheqin aventurierët e detit dhe të zhvillojnë edhe më turizmi kulturor.

Kërkesat në rritje nga investitorë vendas dhe të huaj

Një numër i madh kërkesash për ndërtimin e porteve të jahteve kanë mbërritur pranë Ministrisë së Transporteve nga investitorë vendas dhe të huaj. Deri tani vetëm një projekt ka marrë dritën jeshile në fazën e parë. Krahas kërkesave të shumta për porte jahtesh nga investitorë të huaj, kryesisht zvicerianë, sllovakë dhe britanikë ka kërkesa edhe për ndërtimin e dy qytezave turistike. Gjithashtu kërkesa më “surprizë” vjen nga investitorë vendas, të cilët kërkojnë të ndërtojnë një port turistik në shëtitoren Taulantia. Tashmë ky projekt e ka kaluar me sukses fazën e parë të kualifikimit të projektit në Ministrinë e Transporteve dhe pret të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Projektet për qytezat turistike në Gosë dhe Synej

Në korrik të vitit 2011, kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, ku u miratua ndjekja e proçedurave për realizimin e dy projekteve turistike në Kavajë, më konkretisht në Gosë dhe në Synej. Secili prej projekteve parashikon ndërtimin e qytezave turistike, investime këto që arrijnë deri në 1 miliard euro.

Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij të një qyteze turistike në këtë zonë, në një sipërfaqe prej 160 hektarë. Në përfundim të tyre, këto projekte arrijnë vlerën deri në 1 miliard euro. Investimi i parë do të realizohet nga konsorciumi britanik “Development shpk” dhe i dyti nga konsorciumi zviceran “Finsec ltd” thuhet në njoftimin e qeverisë.



 

 Ndërtimi i porteve turistike me ligj të veçantë

Për ata që do të ndërtojnë porte turistike e pontile të përhershme, si dhe objekte të paluajtshme, miratimi do të vijë përmes një ligji të veçantë. Kjo parashikohet në ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Me anë të këtij ligji pritet të rregullohen marrëdhëniet me truallin, pronë e paluajtshme publike për subjektet private që nënshkruajnë kontrata konçesionare për ndërtimin e porteve turistike dhe pontileve të përhershme. Referuar projektligjit në fjalë është i domosdoshëm përdorimi i vijës bregdetare dhe bregut të detit. Në këtë mënyrë lind domosdoshmëria që përdorimi i pronës së paluajtshme publike të rregullohet me ligj të veçantë. Sipas kreut të kapitenerisë, Edmond Doraci projektet e paraqitura merren në shqyrtim nga grupi i identifikimit të projekteve me përfaqësues nga Ministria e Transporteve, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Avokati i Shtetit, Agjensia e Trajtimit të Konçensioneve dhe Zyra e Konçensioneve në Ministrinë e Transporteve. Projekti vetëm pasi merr “ok” e këtij grupi specialistësh, kalon në qeveri për miratim. Qeveria vendos nëse do të kalojnë në Këshillin Kombëtar të Territorit, si hap i fundit për zbatim. Por edhe pasi kanë kaluar të gjitha praktikat shtetërore, investitorët duhet të zgjidhin problemet me truallin, për lidhjen e kontratave.