Dhjetëra mjete dhe staf i UK Rajoni Durrës kanë ndërhyrë gjatë natës së djeshme në disa rrugë të qytetit të Durrësit për pastrimin dhe zhbllokimin e pusetave dhe kanalizmeve që kanë pasur probleme.

Me mjetet e UK Rajoni Durrës dhe punonjësit e drejtorisë së Ujërave të Ndotura është ndërhyrë në disa akse rrugore të qytetit të Durrësit për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në mënyrë që të mos ketë probleme gjatë verës kur në qytet rritet ndjeshëm popullsia.

Punonjësit kanë punuar gjatë gjithë natës së djeshme në mënyrë që të shmangej krjimi i trafikut të rënduar në akset e ngarkuara të qytetit gjatë ditës.

Në prag të sezonit turistik UK Rajoni Durrës është në gatishmëri për të pasur në funksion të plotë të gjithë rrjetin e ujërave të ndotura si dhe stacionet e pompimit që i dërgojnë këto ujëra drejt impiantit të trajtimit në Shënavlash.

Prej disa ditësh drejtoria e Ujërave të Ndotura ka nisur pastrimin e stacioneve të pompimit në zonën turistike Golem-Mali i Robit në mënyrë që këto stacione të përballojnë me sukses shtimin e fluksit të ujërave gjatë stinës së verës.