Nga Gëzim Kabashi

 “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”. Kështu titullohet ekspozita fotografike që do të hapet në Durrës nga 2-7 mars të këtij viti. Kjo veprimtari që organizohet nga Autoriteti Portual Durrës APD, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe Agjencinë zyrtare të shtypit ATSH rikthen në vëmendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin masiv me anije në mars 1991.

Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.

Ekspozita do të sjellë për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së Gani Xhengo dhe Arben Çela kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia”, ku do të hapet ekspozita, përmes fotove bardhezi mund ti rikthehen emocioneve të 25 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit. Pamjet filmike të portit në vitin 1991 do të shfaqen në një monitor, ndërsa në pjesën e dytë do të ekspozohen edhe fotot, me pamje aktuale të portit më të madh të vendit.

Kjo veprimtari është tregues i ndjeshmërisë dhe i bashkëpunimit të tre prej institucioneve publike me rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë.

Eksodi 1991

Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijëra bashkatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetëra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 25 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruan në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë.

Një gjë është e sigurt: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijëra e mijëra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës.

Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë nga autoritetet policore të kohës me autobusë nga Tirana drejt portit të Durrësit. Më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani.

Durrësi gjatë gjithë muajit shkurt 1991 përjetoi disa tentativa të njerëzve për t’i hapur dyert e portit, përpjekje që shpeshherë nënshtroheshin vetëm nga zinxhirët e tankeve të diktaturës në rrugë. Qyteti bregdetar nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit të 25 viteve më parë. Të ardhur nga e gjithë Shqipëria burra e gra të të gjitha moshave guxonin për herë të parë t’i drejtoheshin lirisë së ëndërruar. Pamjet apokaliptike të djemve dhe vajzave që ngjiteshin nga cimat dhe litarët në vaporët e tejmbushur janë në memorien e shqiptarëve edhe pas një çerek shekulli.

E po ashtu në gusht 1991, kur shpresat e mijëra shqiptarëve të tjerë që shkuan me anijen “Vlora”, u kyçën në stadiumin e Barit.

Ekspozita për eksodin e vitit 1991 është një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.