ELBASAN – Policia e Elbasanit ka finalizuar mëngjesin e së shtunës operacionin e koduar “ Pasagjeri”, duke arrestuar një shtetas, i cili akuzohet për veprën penale “Tregtim i mallrave kontrabandë”. 

Burime të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se është arrestuar 50-vjeçari Roland Kristo, ndërsa ka nisur procedimi penal edhe për Pandeli Gegushin, shofer i linjës së autobusit Greqi – Shqipëri. 

Mësohet se gjatë një kontrolli ushtruar në autobusin me targa KO 3428 B, policia gjeti 500 paketa cigare kontrabandë pa pullë fiskale që merreshin nga dogana e Kapshticës për t'u shitur ne tregun vendas. 

Policia bëri të ditur se 50- vjeçari Roland Kristo kishte më shumë se 7 muaj që merrej me kontrabandën e cigareve. 

Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.