Një muaj pas situatës kritike me menaxhimin e mbeturinave urbane në qytetin e Durrësit situata përsëritet serish.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri paraditen e sotme në shumë vendgrumbullime të plehrave në lagje të ndryshme të qytetit kazanët janë të tejmbushur. Kamionët e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal në Durrës dhe Plazh prej dy ditësh nuk lejohen të shkarkojnë mbeturinat në landfillin e Sharrës.

Në Durrës rrezikon të përsëritet e njëjta situatë e rëndë mjedisore si ditët e para të qershorit 2020, ku për një javë me radhë qyteti u përmbyt nga plehrat.
“DurrësLajm” mëson se problematika me tërheqjen e mbeturinave urbane lidhet me marrëveshien kontraktuale mes bashkisë Durrës dhe konçensionarit të Sharrës.

1 vit më parë, qeveria Rama akordoi një fond të caktuar për bashkinë Durrës për pagesën e konçesionarit pasi pushteti vendor e ka të pamundur të përballojë koston financiare vjetore për depozitimin e mbetjeve në landfill.

Në qershor të vitit të kaluar, Durrësi u përball për rreth një javë me një situatë katastrofike mjedisore, pasi mbyllja e pikës së grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, ku po ngrihet Eco Parku, la qytetin bregdetar pa një vend depozitimi të plehrave. Pas rreth një jave që plehrat mbuluan Durrësin, qeveria mori përsipër të paguante faturën financiare tek koncesionari i Sharrës, pasi bashkia e ka të pamundur ta përballojë me buxhetin e saj.

Bashkia e qytetit bregdetar prodhon çdo ditë rreth 200 tonë plehra në ditë, ndërkohë që më datë 11 qershor 2020, Këshilli Bashkiak miratoi shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së venddepozitimit në Porto Romano.

Më 8 qershor 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shprehu gatishmërinë për avancimin e transfertës së pakushtëzuar të shpërndarë për bashkinë Durrës sipas tremujorëve për vitin 2020, me qëllim zgjidhjen e emergjencës imediate të krijuar me trajtimin e mbetjeve urbane.