Ka ndërruar jetë nga COVID fizioterapisti i kombëtares shqiptares të futbollit, Ylli Mihali.

Lajmin e ka dhënë kreu i FSHF-së, Armand Duka në një postim në rrjetet sociale.

Të dashur miq, Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19. Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njofti dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në çdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në ҫdo situatë. Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.  Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!”, shkruan Duka.

Prej dy javësh Mihali, 55 vjeç, ishte i intubuar tek Spitali Infektiv.

Edhe pse kishte bërë të dyja dozat e vaksinës Pfizer, Mihali u infektua dhe ndërroi jetë nga COVID.

Para disa ditësh kombëtarja shqiptare i ka dedikuar një fanellë me dedikim një prej heronjve të heshtur që ajo ka pasur ndër vite.