Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pentarovski zhvillon sot dhe nesër një vizitë zyrtare dy ditore në Greqi, me ftesë të Presidentes së Republikës greke, Katerina Sakellaropoulou.

Bëhet fjalë për një vizitë historike që zhvillohet në nivelin më të lartë midis dy vendeve pasi është  vizita e parë e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Greqi, që kur vendi fitoi pavarësinë në 1991. Gjithashtu ajo ndodh dy vjet e gjysmë që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, duke marrë një peshë të veçantë dhe rëndësi simbolike, por edhe kuptim të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Pentarovski, është pritur në pallatin Presidencial në Athinë me një ceremoni zyrtare dhe dhënien e nderimeve shtetërore dhe ushtarake.Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou gjatë takimit me homologun e saj iu referua zbatimit “të plotë, të qëndrueshëm dhe në mirëbesim” të Marrëveshjes së Prespës, duke theksuar se pavarësisht hapave pozitivë, ka disa çështje në pritje.

Sipas saj, Greqia i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve dy palëshe, por edhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, me parakushtin kryesor zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. “Ka çështje në pritje, megjithëse janë ndërmarrë shumë hapa, të cilat duhet të adresohen, nëse duam të përdorim plotësisht mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe në të mirë të të dy vendeve”, ka deklaruar Sakellaropoulou.

Nga ana e tij, Stevo Pentarovski u përgjigj me shprehjen latine “marrëveshjet duhet të respektohen” dhe se ai është i përkushtuar ne zbatimin e saj deri ne presjen e fundit, siç është shprehur në mënyrë karakteristike.

Janë ndërmarrë shumë hapa, ndoshta më të vështirat”, ka thënë Pentarovski duke shtuar se “pritet që edhe të gjitha çështjet të marrin zgjidhshmërinë e duhur”. Ai theksoi se Marrëveshja e Prespës  ishte ajo që ndihmoi vendin e tij të anëtarësohej në NATO dhe pret ndihmën e Greqisë për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar se kjo nuk është një Marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së emrit, por për një marrëveshje strategjike bashkëpunim, e cila në vitin 2018 hodhi kuadrin ligjor për zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Gjithashtu, Stevo Pentarovski është takuar pak më pare edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.