Familja mbretërore jordaneze është zgjeruar, pasi Princesha Iman, vajza e madhe e Mbretit Abdullah II dhe Mbretëreshës Rania, është bërë nënë e vajzave binjake.

Lajmin e bëri të ditur të premten, më 14 gusht, Oborri Mbretëror Hashemit, i cili uroi çiftin për ardhjen në jetë të dy vajzave.

Oborri Mbretëror Hashemit shpreh urimet më të ngrohta për Princeshën Iman dhe bashkëshortin e saj, si dhe për prindërit e saj, Madhërinë e Tij Mbretin Abdullah II dhe Madhërinë e Saj Mbretëreshën Rania”, thuhej në njoftim.

Princesha Iman është e martuar me Jamil Alexandros Thermiotis, me origjinë greke. Çifti kurorëzoi martesën në mars të vitit 2023, në Pallatin Beit Al Urdun në Aman.

Në shkurt të vitit 2025, ata u bënë prindër për herë të parë, me lindjen e vajzës së tyre, Amina.

Iman është e dyta nga katër fëmijët e Mbretit Abdullah II dhe Mbretëreshës Rania. Ajo ka një vëlla më të madh, Princin e Kurorës Hussein, si dhe motrën Princeshë Salma dhe vëllain më të vogël, Princin Hashem.

Me ardhjen në jetë të binjakëve, familja e Princeshës Iman dhe Jamil Thermiotis tashmë numëron pesë anëtarë.