Një ditë pas ngjarjes nga jeta të akademikut nga Kosova Rexhep Qosja, kanë nisur në Prishtinë homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Klan Kosova raporton se nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazhi përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre.
Sjellim ndërmend se akademiku Rexhep Qosja u nda nga jet në moshën 89-vjeçare ditën e enjte, dhe u varros brenda të njëjtës ditë.
Edhe pse ka qenë një nga zërat më të fortë të jetës politike e kulturore dhe një nga figurat më me peshë në elitën shqipfolëse, përcjellja e tij për në banesën e fundit u bë në mënyrë të heshtur dhe private, me kërkesën e tij.
Familjarët bënë me dije përmes rrjeteve sociale, se dëshira e të ndjerit ishte pikërisht privatësia dhe përcjellja pa ceremoni pritjeje, ndërsa po ashtu theksuan se nuk do të jenë pjesë e asnjë ceremonie lamtumire në nder të Qoses.
Angazhimi publik i Rexhep Qoses e bëri atë një nga figurat më të spikatura të kulturës dhe mendimit shqiptar, me ndikim të madh në debatet kulturore kombëtare, ku vëmendje kanë marrë polemikat mes tij dhe shkrimtarit Ismail Kadare, si edhe kundërshtitë me Ibrahim Rugovën, ndonëse në të njëjtën forcë politike.
Rexhep Qosja lindi në Vuthaj të Malit të Zi, ndërsa karrierën e pati gjithmonë në ngjitje. Ai është autor i mbi 30 veprave, jo vetëm si krijues letrar në gjininë e romanit e dramës, por edhe si studiues dhe kritik letrar.
Kontributi i tij njihet edhe në modernizimin e dramës shqipe, të ngjizur me mendimin filozofik.
Mes titujve të shumtë, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Bijtë e askujt” mbeten tepër të arrira, ndërsa vepra “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është cilësuar si më e mira.
Në këtë lamtumirë të fundit, mendimi dhe kontributi i tij i gjithanshëm, edhe në çështjet më delikate e të nxehta, do të mbeten vlerë e Qoses, por edhe nevojë e popullit shqiptar për figura të tilla.





