Teuta pritet të jetë e plotë dhe tërësisht e fokusuar në një ndeshje që do të kërkojë shumë impenjim.Përballë Kastriotit, Bledi Shkëmbi do të kërkojë me skuadrën bregdetare tri pikët e para sezonale dhe gjatë seancës se djeshme e ka pasur grupin e plotë në dispozicion.

Trajneri kërkon që skuadra të jetë më e shpejtë në manovra dhe lojtarët të lëvizin më shumë në fushën e lojës. Nëse llogaritet edhe sezoni i kaluar Teuta numëron 5 ndeshje rresht pa fitore në Kategorinë Superiore, ndërsa numëron vetëm dy gola të shënuar në 6 sfidat e para… Shumë pak për një skuadër që synon minimalisht të mos futet në vallen e mbijetesës. Një nga shqetësimet kryesore të Teutës së sivjetme është mënyra e lehtë e pësimit të golave dhe këtë e tregon më së miri numri i madh i tyre.

Në 6 javë kampionat, blutë kanë pësuar plot 8 gola. Kjo tregon edhe për problemet që ka pasur reparti i prapavijës, i cili vjen edhe sepse lojtarët kanë qenë jo në pozicionet e tyre natyrale për shkak të dëmtimeve që i kanë ndjekur që nga java e parë.

Kujtojmë që në ndeshjen e së premtes ndaj Vllaznisë, u pa një Teutë më e shkurtër në fushën e lojës dhe me rikthimin e Jazxhit, duket se gjerat do të përmirësohen.

Kujtojmë gjithashtu se trajneri Bledi Shkëmbi nuk ka pasur në dispozicion asnjëherë grupin e plotë, dhe sidomos qendërmbrojtësit, të cilët kanë qenë me probleme ndaj Kastriotit. Mendohet që Jazxhi ta nisë nga starti pasi mori disa minuta ndaj Vllaznisë, ndërsa Qaqi, pritet të shihet deri të premten nëse do të jetë ose jo gati për duelin ndaj krutanëve.