TIRANE– Gjykata e Tiranës, ka zhvilluar sot seancën e rradhës për ngjarjet e 21 janarit, ku janë marrë në pyetje 2 ekspertët që kryen ekzaminimin e predhës me të cilën janë vrarë demonstruesit të 21 janarit të vitit 2011.
Prokurorët nuk kanë drejtuar asnjë pyetje, kurse avokatët që mbrojnë dy të pandehurit, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi i drejtuan 20 pyetje ekspertit Dritan Zoto, i cili ka kërkuar kohë për të dhënë përgjigjet e tij. Si rezultat trupi gjykues i ka dhënë afat deri në 11 janar ekspertit Zoto për t’iu përgjigjur pyetjeve, datë kur do të zhvillohet edhe seanca e ardhshme gjyqësore.
Një ditë më parë, në seancën gjyqësore janë dëgjuar përfundimet e ekspertit të thirrur nga prokuroria, Dritan Zoto, në lidhje me plumbin që i shkaktoi vdekjen Ziver Veizit. Eksperti Zoto ka dalë në konkluzionin se plumbi që ka shkaktuar vdekjen e Veizit nuk ka qenë rikoshet, por një plumb i drejtpërdrejtë.