Në konferencën e sotme më 17 qershor, ku u diskutua për procesin e vettingut, mbajti fjalën edhe kreu i SPAK, Klodian Braho.
Braho u shpreh se vettingu ishte një proces i domosdoshëm, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Ai tha se duhet që standardet e arritura në drejtësi nga ky proces, të mund të mbrohen.
‘Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e vettingut reflektohen dhe në punën e përditshme. Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Dua të falënderoj të gjithë ata, që morën pjesë në këtë proces historik.
Për SPAK, vettingu ka pasur një rol të veçantë. Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm e me paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur. Tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur‘, tha kreu i SPAK, Klodian Braho.
Në këtë konferencë mbajti fjalën edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani. Metani theksoi se procesi i vettingut ka pasur një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas tij, organet e rivlerësimit kanë kryer një punë të suksesshme duke verifikuar integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe duke larguar nga sistemi ata që nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Për këtë arsye, sistemi i drejtësisë konsiderohet sot më i besueshëm dhe më cilësor krahasuar me periudhën para reformës së vitit 2016.





