Gjatë viteve 90 të shekullit XX, Instituti i Monumenteve realizoi një ndërhyrje rrënjësore në kishën e Shna Ndout, në kepin e Rodonit, në Ishëm, ku restauruesi me emër ndërkombëtar prof. Frederik Stamati (në foton kryesore para kishës) u mor me stratigrafinë e pikturës së afreskeve. Ajo u “nxor” nga varrosja shekullore e dherave, u restaurua në shumë drejtime, u studiua, etj. Sot, mbas njëzet vjetëve situata në të është e rëndë dhe jo pa pasoja, shkruan më 9 janar 2016 në një status në FB prof. Stamati. Në disa vende ka rënë suvaja e afreskut së bashku me pikturën dhe në shumë vende të tjera ajo është shkëputur frikshëm nga muri dhe rrezikon të bjerë, duke humbur kështu vlera të tjera, që mezi kanë ardhur deri sot nga e kaluara. Muret në shumë vende janë bërë të gjelbra nga zhvillimi i likeneve, në saje të lagështisë shumë të madhe që vjen nga dyshemeja, thotë restauruesi (shih fotot).
Nuk është çështje bukurie, por likenet lëshojnë nga rrënjët acid oksalik, i cili bashkëvepron gradualisht me llaçin, pikturën dhe gurët, duke i dëmtuar në mënyrë të parikthyeshme. Dyshemeja e kishës është thuajse ujë. Me sa duket, drenazhimet nuk punojnë, ose nuk janë bërë fare. Afërsia me detin i zmadhon problemet. Hekurat e dritareve, ndonëse të rinj dhe pa vlera historike, janë treguesit më domethënës të situatës. Duhet ndërhyrë urgjentisht për rregullimin e situatës, ose nga françeskanët që e kanë në përdorim, ose nga shteti, bën thirrej restauruesi i famshëm.
INFO
Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qenë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout / Antonit. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjendje rrënoje. Kisha e Shën Ndout kishte një planimetri 13,6 m x 6,2 m. Ajo përbëhej nga Naosi, narteksi dhe kthina e altarit. Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike. e cila shihet tek harqet e mprehta. Sipas specialistëve, kisha e Shën Ndout është ndërtuar në shekujt 14-15.
Në vitin 2000. Ministria Shqiptare e Kulturës dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve iu drejtuan ambasadës gjermane me një kërkesë për mbështetje në mirëmbajtjen e këtyre vendeve me rëndësi historike dhe kulturore, e cila më pas në kuadër të Programit për Ruajtjen e Vlerave Kulturore, miratoi ndihmën financiare. Si fillim u sigurua shuma prej 100.000 DM për zbulimin dhe restaurimin e kishës së Shën Antonit. Kisha ekzistuese që prej epokës paleokristiane, e kthyer më vonë në një kishë të stilit romak-gotik, do te rindërtohej edhe një herë sipas stilit të fazës përfundimtare të ndërtimeve të shekullit të 15-të. Punimet voluminoze u mbyllën në vitin 2001. Që prej atij viti, kisha u ofron pelegrinëve të shumtë, të cilët e vizitojnë sidomos në ditën e Shën Antonit më 13 qershor, përsëri një strehë të sigurt.
Pas kthimit të disa pronave kishtare komuniteteve fetare, filloi dhe interesimi i këtyre të fundit për studimin e tyre, ruajtjen dhe rindërtimin. Një ndër këto prona është Kisha e Shnandout në Rodon ku ruhet dhe shqiponja e pikturuar e Kastriotëve, Për këtë kishë dokumentet flasin që e kanë ndërtuar Gjon Kastrioti ose i biri, heroi ynë i njohur Skënderbeu.
Në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Rodon u bënë kërkime mbi fortesën e Rodonit, dhe më këtë rast na është dhënë dhe përshkrimi i rrënojave të kësaj kishe, e me gjendjen në të cilën është rrënoja sot kuptojmë se shkatërrimi ka vazhduar edhe gjatë këtyre 30 vjetëve.
Është kujdesi dhe interesi i At Zef Pëllumbit që i nisur nga gjurmët e afreskeve në muret e kësaj faltoreje të vjetër e quan në zbulimin e kësaj shqiponje. Deri më sot është zbuluar vetëm një sipërfaqe e vogël e këtij afresku që falë natyrës dhe punës me mjete cilësore të realizuar para pesë shekujsh ajo u ruajt.
Shqiponja është në afreskun e realizuar në brezin e poshtëm të faqes së harkuar të murit të absidës. Në krahun e majtë të shqiponjës dallohet figura e një kalorësi e majtas e djathtas këtyre janë edhe shenjat e pazbuluara plotësisht, siç duket edhe të dy shqiponjave të tjera. Këto do dallohen e të studiohen pasi të pastrohet afresku tërësisht.
Shqiponja është e pikturuar me ngjyrë të kuqe të hapur mbi suva të bardhë dhe në disa pjesë na ka arritur e dëmtuar, por që dallohet qartë se është me dy kokë (në foto). Sipas mendimit të studiuesit të artit mesjetar Mustafa Arapi afresku është vepër e një piktori profesionist, mjafton të shohësh vizatimin e kthetrave dhe kuptohet që është fryt i një dore të shkathët të një piktori me përvojë. Kjo bie në sy edhe nga vrojtimi i figurës së kalorësit që sot për vetë fazën e zbulimit të afreskut nuk ka një gjykim se kujt figure historike ose religjioze i kushtohet.
THIRRJA PËR REVOLUCION KUNDËR FRANÇESKANËVE
Ndërkaq një OJQ, e quajtur “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore”, i referohet “alarmit që vjen nga F. Stamati, kimist restaurues, vëzhgues i hollë i problemeve e patologjive të artefakteve artistike”. Nuk është korrekte që për Prof. Frederik Stamati të thuhet thjesht “kimist restaurues”. Së dyti, nuk ka përse të bëhen spekulime më tekstin e Prof. Stamatit, por forumsat të shkonin vetë në Kepin e Rodonit. Aty do të mësonin se kisha është në pronësi të kishës françeskane më vendim të komisionit të kthimit të pronave.
Del që ia fusin kot këta forumsat se “zotërinjtë që kujdesen për monumentet, fatkeqësisht, nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij monumenti, kështu që duhet ngritur një organizëm, qytetar për marrjen nën mbrojtje të monumentit-dëshmitar”. Sikurse përmendet në info, ndonëse në pronësi të kishës, para 15 vjetësh, kanë qenë dikasteri përkatës dhe Instituti i Monumenteve (“zotërinjtë që kujdesen për monumentet”) të cilët siguruan financime gjermane për nxjerrjen në dritë të kishës së rrënuar.
Madje, Prof. Stamati sugjeron se “duhet ndërhyrë urgjentisht për rregullimin e situatës, ose nga françeskanët që e kanë në përdorim, ose nga shteti”. Thirrja revolucionare e forumsave që “duhet ngritur një organizëm, qytetar për marrjen nën mbrojtje të monumentit-dëshmitar” është një dhunim i pronarit të ligjshëm. Këtu mund të bëhet një projekt i përbashkët i kishës françeskane, drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare Durrës dhe bashkisë së Durrësit për të mundësuar fond shpëtimi. Për më tepër, kisha françeskane mund t’i drejtohet edhe Selisë së Shenjtë.





