*E nisi me çështjet e emigrantëve shqiptarë, sot e kërkojnë edhe të huajt e vetë italianët

1gusht 2015 – Kur e la Shqipërinë në vitin 1996 ishte vetëm 10 vjeç. Në atë kohë Andi (Ramadan) Tahiri nuk e kishte menduar se do të arrinte të studionte dhe të bëhej avokat. Madje të hapte studion e tij ligjore, me mbiemrin e familjes. Sot, vetëm 29 vjeç, Andi është përfaqësuesi i studios ligjore “R.Tahiri” në Itali.

Avokati i suksesshëm në Itali ka lindur në Durrës. Në vitin ’96 emigroi bashkë me pjesën tjetër të familjes në shtetin fqinj, aty ku i ati punonte e jetonte prej vitit ’91. Shqiptarët shiheshin fillimisht si emigrantët që kërkonin të kishin një punë për të mbajtur familjen. Por, për Andin, ambicia ishte e madhe.

Ai tregon për “Dyrrah” se që kur nisi universitetin në vitin 2005 i kishte vënë qëllim vetes që të hapte një zyrë të tijën, meqenëse në provincën e Imperia-Sanremos jetonin shumë të huaj. “Për gati dy vjet nga mbarimi i universitetit punova si asistent dhe një vit tjetër si bashkëavokat. Më tej mora iniciativën që të hapja zyrën time”. Çështjet e tij të para kishin të bënin pikërisht me problemet që emigrantët e huaj kishin në Itali: leje qëndrimi, aplikimi dhe marrja e nënshtetësisë italiane apo heqje ekspulsioni. Edhe pse këto çështje vazhdojnë të jenë prioritet i avokatit Tahiri, ai sot e ka zgjeruar tematikën edhe me çështje të tjera civile dhe penale, si: divorce, prishje kontratash, masat, etj.

“Në Provincen e Imperias jam i vetmi avokat i huaj. Gjykatësit, prokuroret dhe personat qe punojnë në këto institucione, por edhe në prefekturë apo kuesturë, në fillim habiteshin që një i huaj bënte profesionin e avokatit. Tani janë mësuar dhe tregojnë shumë respekt karshi meje, si person që pavarësisht moshës tregohem shumë serioz për punën”, tregon 29-vjeçari.

Por, klientët e studios ligjore R.Tahiri nuk janë vetëm shqiptarë apo emigrantë të tjerë. Janë edhe italianë që i besojnë punës së avokatit nga Shqipëria. Për shkak se universitetin e ka kryer në këtë shtet, angazhimi i tij në politikë, dhe njohjet personale e bëjnë që të ketë klientë të shumtë vendas.

Tahiri, mendime ligjore falas në gazetë

Prej dhjetorit të shkuar, avokat Tahiri ka një tjetër linjë bashkëpunimi me qytetarët. Ai shkuan tek gazeta online e qytetit të Imperias, ku i kthen përgjigje personave të interesuar për një çështje ligjore dhe duan mendimin e specialistit. Temat janë nga më të ndryshmet, por që avokati i njohur shqiptar i këshillon të interesuarit pa asnjë lloj këmbimi financiar.

 

Projektet e Tahirit

Avokati thotë se në planet e shpejta është bashkëpunimi me një koleg në qytetin e Durrësit. Ideja e zyrës është për të shqyrtuar çështjet që mungojnë shtetasit shqiptarë, kryesisht për rastet e ekspulsit nga Italia. Sipas tij janë shumë kërkesa nga persona që për shumë arsye nuk mund të hyjnë në Itali dhe ata kërkojnë ndihmën e avokatit për të gjetur një zgjidhje.

 

Lidhja me Shqipërinë

Andi tregon se ka lindur në Durrës më 20 mars të vitit 1986. Familja e tij ia ka vënë emrin e gjyshit, Ramadan, për ta trashëguar në breza. I ati i tij, Ferhati është larguar drejt Italisë me anije, në vitin 1991, për të tërhequr më pas familjen. Jo vetëm origjina, por edhe profesioni kanë bërë që 29-vjeçari të vijë shpesh në Shqipëri e në Durrës në veçanti. “Vi në Durrës të paktën dy herë në vit, ndërsa kohët e fundit dhe më shpesh, për shkak të punës”, shprehet i riu, i cili pavarësisht se jeta e ka bërë që bazat t’i vendosë në Itali nuk e ka harruar vendin e tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/