Nga Gëzim KABASHI

5shtator 2015 – Plot 34 vjet më parë tre artistë të njohur e më pak të njohur të Durrësit i dhanë jetë këngës – himn “Kënga e marinarit”, e cila vazhdon të jetë mjaft e njohur për publikun shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Poeti dhe publicisti Moikom Zeqo dhe kompozitori Jusuf Xhumrri kanë firmosur në vitin e largët 1981 këngën që më pas u bë hit, falë edhe interpretimit të këngëtarit Zija Saraçi.

“Kënga e Marinarit” ka lindur si një hymn dashurie për detin-tregon kompozitori Jusuf Xhumrri. Sa herë që shkoja në plazh koka ime mbushej me tingujt e një kënge për detin, për varkat prej letre që lëshonim në ujë, kur ishim ende fëmijë të vegjël”.

Kënga më e njohur e kompozitorit amator Xhumrri ka marrë formë, atëherë kur në Festivalin e këngës në Durrës kërkuan një krijim për detarët.

“Ia tregova idenë time poetit Moikom Zeqo dhe ai e mirëpriti-shton Xhumrri, duke kujtuar se “Kënga e marinarit” në festivalin e Durrësit fitoi çmimin e tretë.

Vetëm disa muaj më vonë kënga që nis me vargjet “Gjithmonë për detin kam qenë fëmijë kureshtar” u bë hit, falë popullaritetit që mori krijimi i treshes durrsake Xhumrri, Zeqo e Saraçi në Anketën muzikore të Radio Tiranës. Ajo dëgjohej 3-4 herë në ditë në valët e Radios së vetme të shqiptarëve të asaj kohe, ndërsa të rinjtë e këndonin në mbrëmjet e maturave. Ishte fillimi i vitit 1982.

Pasioni për trompën

Jusuf Xhumrri ka punuar për 32 vjet radhazi si elektromekanik në fabrikën e duhan-cigareve të Durrësit, atë që dikur e quanin STAMLES. E kaluara prej fabrikanti tregtar e familjes Xhumrri ia hoqi shpresat për vazhdimin e studimeve të larta. Djaloshi iu nënshtrua fatit, gati njëlloj siç iu nënshtrua një pasioni të brendshëm që kishte një emër:“Trompa”.

Falë një miku italian, ortak në biznesin e prodhimit të sapunit të familjes gjatë viteve të paraluftës, në vitin 1957 Jusuf Xhumrri morri në dorë instrumentin e parë perëndimor, aq të dëshëruar nga dhjetra instrumentistë. Partneriteti në biznesin e paraluftës që i shkaktoi mjaft andralla familjes durrsake ishte kthyer në një miqësi thuajse të heshtur, për shkak të “murit ndarës” që ishte vendosur me Perëndimin.

Sikur ta dinte pasionin e të riut shqiptar, Renato Stefani, fabrikanti nga Milano, miku i familjes Xhumrri, nuk u dorëzua edhe kur në doganën shqiptare “mallin” italian e kthyen mbrapsht. Trompa për Jusuf Xhumrrin mbërriti nëpërmjet Kroacisë.

Bushi, Ibrahimi, Mumajesi, Çurçija, …

“Ishte një “Mikol Pascucci – Zinzi” e prodhuar në Romë-kujton Jusufi, atëherë 16-vjeçar.

Ndërkaq i riu durrsak nuk kishte ndenjur duarkryq.

Në kurset e drejtuara nga Gjergj Bushi në Durrës kishte mësuar solfezhin; ditëve të djela ai bashkohej me të rinjtë e tjerë që prisnin kompozitorin Feim Ibrahimi nga Tirana dhe mësonin prej tij “harmoninë” në një nga mjediset e ish-Shtëpisë së Pionerit. Ndërsa njeriu që kishte ndikuar më shumë për ti kalitur vullnetin ishte një i afërm i tij, Mustafa Mumajesi, tromponist i diplomuar në Çekosllovaki dhe pjestar i orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Në jetën e instrumentistit të ri pak më vonë hyn një nga mjeshtrat e mëdhenj të interpretimit të frymës: Gaspër Çurçija.

“Ishte trompetist u pazëvendësueshëm-thotë Jusufi për mikun e tij fatkeq, duke përdorur termin perëndimor “trompetist”.

Bashkë me mjeshtrat e huaj, kryesisht amerikanë, që ndiqte përmes valëve të Radio-Luksemburgut, Gaspër Çurçija bëhet modeli i instrumentistit të pasionuar. Jusuf Xhumrri në atë kohë punonte 4-5 orë në ditë për tu perfeksionuar në një nga veglat muzikore më të vështira për një orkestër.

Me formacionet orkestrale

Kur kthehet nga shërbimi ushtarak formacionet e vogla orkestrale të Durësit, “xhevahiret” e muzikës së lehtë, mjaft të njohura në të gjithë vendin, e kanë derën e hapur për Jusuf Xhumrrin. Ai rikthehet në fabrikën e cigareve, atje ku punonte 8 orët e detyrimit për të mbajtur familjen, por mëndjen e kishte te trompa.

Çdo mbrëmje në pistën e hotelit “Kruja” në Plazh dëgjoheshin tingujt e orkestrinës, ku pranë njëri tjetrit luanin muzikë: Petraq Dhamo (piano), Todi Kutina (fizarmonikë), Genc Cara (bateri) dhe Jusuf Xhumrri.

Cilësitë e trompetistit Xhumrri nisin tu imponohen edhe drejtuesve të formacioneve të tjera instrumentale të qytetit. Për më shumë se 10 vjet ai thirret si pjestar i orkestrës së Estradës, e cila herë pas here përforcohej edhe me instrumensistë të tjerë.

Kënga, dëshira për t’u shprehur

Këngët e para të Jusuf Xhumrrit kanë marrë formë në fillimin e viteve 1980. “Nuk janë më shumë se 10-12 këngë-tregon Jusufi, duke shtuar: Për mua sidoqoftë janë shumë të dashura”.

Në vitin 1981 bashkë me ndjesinë e triumfit që i dha popullariteti nga “Kënga e marinarit” ai kujton edhe “dështimin” e këngës “Pranvera”, me tekst nga Agron Duka dhe kënduar nga Zija Saraçi.“Pranvera” u përjashtua nga konkurimi në natën e tretë, megjithë votat e fituara në prezantimin e parë, ndërsa u rikthye për publikun me Anketën muzikore të radios.

Në vitin 1984 kënga “Kujtoj shokun” fiton vendin e parë në edicionin e radhës së Festivalit të Durrësit. Kënga që u klasifikua e para edhe në Anketën nuzikore të muajit përcillej nga këngëtarët durrsakë Naim Kërçuku dhe Petrit Dobjani.

Ëngjëllushe Laze, bashkëpunon për tekstin dhe këndon këngën e Jusuf Xhumrrit “Të erdhi radha bir”, fituese e vendit të tretë në Festivalin e qytetit bregdetar në vitin 1988. Në dy vitet pasardhës Kristaq Paspali këndon krijimet e Jusuf Xhumrrit “Kurorë mbi lapidar” dhe “Llampa neoni”. Kjo e fundit u “përjashtua” gjithashtu nga festivali në natën e tretë finale. Në arkivin e krijimeve të kompozitorit amator Jusuf Xhumrri bëjnë pjesë edhe mjaft këngë për fëmijë të interpretuara nga vogëlushët në festivalet që organizoheshin në Durrës.

Sidoqoftë, “Kënga e marinarit” është krijimi më jetëgjatë në memorien e dëgjuesve, të cilët vazhdojnë ta duartrokasin edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga interpretimi I saj I parë.

“Kënga e marinarit” është e vetmja kolonë muzikore e ruajtur, e cila vazhdon të dëgjohet në radiot shqiptare, ndërkohë që të gjitha krijimet e tjera të Jusuf Xhumrrit kanë humbur apo janë dëmtuar nga koha.

“I kam kërkuar edhe në arkivat e Radio-Tiranës, por deri tani pa asnjë rezultat – shprehet me keqardhje instrumentisti dhe kompozitori Jusuf Xhumrri.

/Portali DurresLajm/