Ramush Haradinaj u bë serish Kryeministër i Kosovës. Synimin e realizoi 13 vjet pasi kishte shijuar për 100 ditë pozitën më të lartë qeveritare. Shumëkush po e sheh me skepticizëm mënyrën si se Haradinaj e ndërtoi Qeverinë. Kryetari i ri i Qeverisë, siç Haradinaj ka dëshirë ta quajë Kryeministrin, sfidën më të madhe do ta ketë të merret me temat që i kishte ndërtuara si kauza gjatë qëndrimit në opozitë. Kur mori 61 vota për t’u bërë Shef i Qeverisë tha shkurt: Na priftë e mbara.

Kur Ramush Haradinaj ishte bërë për herë të parë deputet i Parlamentit të Kosovës, në nëntor të vitit 2001, kishte shkruar se ka aftësim ushtarak dhe po vijon studimet në Fakultetin Juridik. Kishte treguar se merrej me sport, ndërtimtari e siguri.

Në fakt, Haradinaj ishte Komandant gjatë luftës i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit dhe pasluftës Zëvendëskomandant i Përgjithshëm i TMK-së.

Menjëherë pas luftës, Haradinaj, në vitin 2000, kishte themeluar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën vazhdon ta udhëheqë me disa shkëputje, për shkak të ballafaqimit me drejtësinë ndërkombëtare. E cila e ka shpallur dy herë të pafajshëm për akuzat për krime lufte.

I njohur në kohën e luftës, fillimisht me nofkën, Smajli, Haradinaj në fund të vitit 2004 bëhet Kryeministër duke lidhur koalicion me LDK-në. Atëkohë, LDK ishte fuqia kryesore politike në Kosovë derisa Ibrahim Rugova mbante pozitën e Presidentit.

Por, qëndroi shkurt në krye të Qeverisë. Vetëm 100 ditë. Këto ditë në krye të Qeverisë ishin hyjnizuar në AAK. I kanë përmendur mijëra herë se gjatë asaj kohe ishin bërë shumë punë. Por, po ashtu, përmendet me ironi se Kryeministri i asaj kohe punonte shumë në Kosovë sepse s’mund ta lëshonte vendin pasi ishte nën llupën e hetuesve të Hagës.

Në mars të vitit 2004, Haradinaj i shkon aktakuza në Zyrën e Kryeministrit nga prokurorët e Hagës dhe menjëherë jep dorëheqje. Atëkohë, kishte mbajtur një konferencë, dhe kishte thënë se po e bën edhe një sakrificë për Shtetin.

Familja e Kryeministrit të ri ka dhënë dy djem në luftën e UÇK-së. Ndërkaq, një tjetër pasluftës i vrarë në rrethana ende të pasqaruara.

Ballafaqimi me Komandantët e Bllacës e me flliqana

Ramush Haradinaj ishte prishur keq me kolegët e luftës të shndërruar në politikanë kur kishte lidhur koalicion me Ibrahim Rugovën e LDK-në.

Ballafaqimi me zyrtarët e PDK-së e kishte pasur më 5 mars të vitit 2005, kur po përkujtohej Epopeja e UÇK-së.

“E nderuara Familje Jahashari, të nderuara familje të dëshmorëve… mshelne Komandantë të Bllacës”, ua kishte shpërthyer Haradinaj, në një fjalim të mbajtur në stadionin e Prishtinës.

Hasmëria e tij me PDK-në e kishte vazhduar e thelluar edhe më shumë kur PDK mori pushtetin dhe la AAK-në në opozitë. Prej 2007-s, Haradinaj dhe AAK kishin nisur akuzat në drejtim të PDK-së, Hashim Thaçit, ShIK-ut e Kadri Veselit.

Pak para zgjedhjeve të fundit, Haradinaj la prapa gjithë ato akuza, dhe lidhi koalicion parazgjedhor me PDK-në dhe Kadri Veselin, i cili e nominoi Kryetarin e AAK-së për Shef të Qeverisë.

Sa ishte në opozitë Haradinaj ishte ballafaquar me në pjesë të ekstremistëve fetarë. I kishte quajtur flliqana kosovarët që shkonin për të luftuar në Siri.

Haradinaj si opozitar, një kohë, kishte vendosur të bashkohej edhe me Vetëvendosjen, e cila pritet të jetë partia që do ta sfidojë më së shumti gjatë qeverisjes. Ishte bërë bashkë me Albin Kurtin kundër demarkacionit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave Serbe, tema këto që dështuan të shkojnë përpara në Qeverinë PDK-LDK.

Kryetari i AAK-së, i cili në rini kishte qenë punëtor krahu në Zvicër, po ndërton një Qeveri, pasi dështoi të ofronte LDK-në, me pak numra e me ndarje të çuditshme të pushtetit. Ka marrë më së paku Ministri në raport me partnerët e tjerë të koalicionit. Udhëheq vetëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Shëndetësisë.

Sa do të mund të qëndrojë gjatë si Kryetar i Qeverisë nuk dihet pasi fati i tij lidhet edhe me atë se as opozita nuk i ka 61 vota. Ndoshta, edhe mund ta çojë mandatin deri në fund, pa bërë ndonjë punë të madhe, në mungesë të numrave. Por, as nuk do të mund të rrëzohet prej Qeverisë, pikërisht, në mungesë të numrave të opozitës.

/Gazeta Express/