Deputeti i PD-së Osman Metalla e ka konsideruar projektligjin e ri të strehimit si të parametrave europianë dhe që zgjidh problemet që ka shfaqur aplikimi i këtij ligji në implementimin e projekteve të strehimit. Kategoritw qw pwrfitojnw nga ky projekt-ligj dhe çështjet sociale qw pritet tw zgjidhw. Më tej Metalla do të ndalej edhe në çështje që kanë të bëjnë me problemet e strehimit në qytete të mëdha si Durrësi apo Tirana…

Z Metalla, cilat janë të rejat që sjell projektligji i ri për strehimin?

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për programet sociale për strehimin  e banorëve të zonave urbane të ndryshuar”, erdhi si domosdoshmëri e kapërcimit të disa nevojave që lindën gjatë implementimit të projekteve të strehimit siç është projekti i banesave sociale me qira që po zbatohet me kredinë CEB si dhe projekti i kreditimit të banesave sociale me kosto të ulët, që po implementohet së bashku me partner privat – BKT, për të ndërhyrë kryesisht në procedurat e përzgjedhjes, kriteret e seleksionimit dhe përcaktimit të nivelit të të ardhurave.

Njëkohësisht ky projektligj është edhe një plotësim i atyre detyrimeve që vendi ka në kuadrin e integrimit siç është strategjia e riintegrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer, pra njëri nga kushtet e marrjes së statusit të vendit kandidat.  Këtu përfshihen edhe punëtorët emigrantë, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe parashikimet e Konventës Europiane “Për statusin ligjor të punëtorëve emigrantë”.

Ka pasur kritika nga opozita se ky ligj nuk merr parasysh komunitetin rom?

Përsa i përket komunitetit rom që është një nga komunitetet me probleme përsa i përket strehimit, këto ndryshime krijojnë hapësirat për një trajtim më të plotë të këtij komuniteti me programet sociale të strehimit. Ndër të tjera në mënyrë më specifike projektligji trajton në mënyrë më të drejtë familjet e policëve të policisë së shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm apo Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ Shtetëror të cilët humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës. Gjatë këtyre viteve kemi pasur raste të humbjes së jetës së njerëzve në detyrë dhe është detyrim i shtetit që t’i ofrojë ndihmën e duhur familjarëve të këtyre njerëzve, të cilët në krye të detyrës në funksion të ruajtjes së rendit publik, të shpëtimit të jetës së njerëzve të tjerë, në mbrojtje të pronës, apo në shërbim të vendit brenda dhe jashtë kufijve siç ishte edhe rasti i Kapiten Voglit, i cili humbi jetën në Afganistan. Shteti duhet të përkujdeset për familjarët e këtyre heronjve.

Cilat janë efektet e këtij projektligji në zbatimin e programeve sociale?

Duhet thënë se parashikimet e detyrimeve për zbatimin e programeve sociale për strehimin deri tani zbatoheshin vetëm në disa bashki, ndërsa ky projektligj i shtrin efektet në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore.

Projektligji përcakton kategorinë e familjeve që përftojnë strehim në të cilat përfshihen të gjithë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç si dhe familjet e regjistruara në gjendjen civile të Njësisë së Qeverisjes Vendore dhe që plotësojnë kushtet e mëposhtme:

1. Nuk kanë në pronësi një banesë

2. Zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit

3. Që kanë mbetur pa strehim si rezultat i fatkeqësive natyrore sikundër mund të jetë rasti i zjarrit, përmbytjeve apo fatkeqësive që vijnë si rezultat i forcave madhore të tjera si: tërmeti.

A përfitojnë nga ky ligj punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit?

Po. Nga ky projektligj përfitojnë dhe punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit. Duke qenë një vend në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat, natyrisht që është e nevojshme që Qeveria të parashikojë në kategorinë e personave apo familjeve që kanë nevojë për përftimin nga programet sociale të strehimit edhe azilkërkuesit, punonjësit emigrantë apo familjet e tyre që jetojnë në Shqipëri.Parashikimet e këtij projekt-ligji deri diku çelin rrugën për dhënien e të drejtës së mohuar atyre pronarëve të cilëve për afro 70 vjet iu është mohuar e drejta e pronës së tyre dhe tashmë në mënyrë abuzive, vazhdohet t’i mbahet peng banesa kundrejt qirave qesharake dhe në fakt nuk është aspak normale që një banesë e një ish-pronari në mes të Tiranës të banohet nga një familje që është vendosur në atë banesë nga sistemi i kaluar dhe tashmë ish-pronari akoma nuk ka mundësinë që të gëzojë pronën e tij pasi është e okupuar. Mendoj se projekt-ligji duhej t’i ishte adresuar në mënyrë më të plotë dhe të qartë këtij problemi dhe prandaj është paraqitur një amendim i cili mendoj se ndihmon në zgjidhjen e këtij problemi.

Cilat janë kushtet e përzgjedhjes së përfituesve nga projektet e strehimit?

Projektligji specifikon në mënyrë të plotë kushtet e përzgjedhjes së përftuesve duke përcaktuar kushte të qarta dhe të drejta për individët dhe familjet që janë subjekt i përftimeve të parashikimeve të këtij ligji. Kështu familjet që do të kenë përparësi në trajtimin me banesa sociale do të jenë familjet;

1. Që nuk disponojnë banesë në pronësi

2. Që banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembje

3. Që banojnë në banesa të mbipopulluara, kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore

4. Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë

5. Të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror

6. Familjet me më shumë se 4 fëmijë

7. Çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç

Si i vlerësoni problemet e strehimit në Durrës?

Sigurisht që qytete të tilla si Durrësi dhe Tirana kanë probleme me strehimin edhe për faktin se popullsia e këtyre qyteteve në vitet e fundit është dy apo trefishuar. Pavarësisht nga kjo qeveria shqiptare ka realizuar disa projekte të rëndësishme strehimi në këto qytete. Duke iu referuar Durrësit janë realizuar projekte edhe për popullsinë rome. Po kështu janë rreth 120 apartamente për të cilat për arsye akoma të padituara, Bashkia e Durrësit nuk po paraqet në Këshillin bashkiak emrat e familjeve që do të përfitojnë bazuar edhe në sistemin e pikavarazhit. Nuk po kuptoj se pse vonohet ky proces, kur njerëzit kanë nevoja emergjente për strehim.