Itali, 19 qershor 2014 – Prokurori i Antimafias i Leçes, Cataldo Motta ka përgëzuar autoritetet shqiptare për ndërhyrjen e saj në Lazarat, nëpërmjet një interviste telefonike për Top Channel.
“Për ne është një nismë shumë e rëndësishme, sepse identifikimi i këtyre plantacioneve të kanabisit është bërë edhe falë ndihmës së Guardia di Finanza-s. Është shumë e rëndësishme që të shkatërrohen, sepse do të ulet ndjeshëm trafikimi i lëndëve narkotike nga Shqipëria. Është një nismë shumë e rëndësishme dhe meriton suksesin, që do ta ketë padyshim”, tha Cataldo Motta.
“Jemi shumë të interesuar në këtë ndërhyrje të policisë. Për mua është një ngjarje shumë e rëndësishme, për të cilën shkojnë duartrokitjet e mia personale, për autoritetet shqiptare”, shtoi më tej Motta.
I pyetur nëse autoritetet italiane kanë kërkuar më parë ndërhyrjen në Lazarat, Motta shprehet:
“Kemi sinjalizuar dhe kërkuar shumë herë, që të ulej numri i këtyre plantacioneve dhe të ndërhyhej për shkatërrimin e tyre. Dhe Lazarati, për atë që ne na rezulton, është zona ku është më shumë i përhapur kultivimi i kanabisit”, u shpreh Motta.
Sipas prokurorit të Antimafias së Leçes, nëse do t’u kërkohet, autoritetet italiane do të jenë të gatshme për të ndihmuar palën shqiptare në luftën e nisur kundër kanabisit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





