DURRES – Dy muaj pas vrasjes makabre që tronditi të gjithë vendin, ku mbeti viktimë një 18 vjeçare shtatzënë prokuroria i ka mbyllur hetimet duke dalë në konkluzionin se vrasësi i Ajshe Vatës është 80 vjeçari Shaban Norja. Në një shkrim të saj gazeta “Panorama” raporton se prokuroria e Durrësit i mbylli hetimet dymujore për një nga ngjarjet më të rënda në vend.

Duke iu referuar prokurorit të çështjes, Sokol Nishani, gazeta “Panorama” thekson se autori i vetëm i kësaj ngjarje të rëndë është Shaban Norja, bashkëfshatari i 18 vjeçares. “Prokurori i çështjes, Sokol Nishani, konfirmon se dosja voluminoze në ngarkim të 80-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasjen e 18- vjeçares, është depozituar në Gjykatën e Durrësit”,- raporton Panorama. 

Norja u arrestua katër ditë pas zbulimit të trupit pa kokë të vajzës së re, që ishte 3-muajshe shtatzënë, e me të cilën kishte lidhje intime prej katër vitesh.

“Prokurori ka hedhur poshtë dyshimet që Norja të ketë pasur bashkëpunëtor në krim. Nishani tha se janë analizuar të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe gjetkë, të cilat vërtetojnë se Norja ka vepruar i vetëm për të ekzekutuar Ajshe Vatën”,- vijon më tej shkrimi i Panoramës.  

Aishe Vata u ekzekutua gjatë mesnatës së datës 10 tetor, në një parcelë të mbjellë me misër në afërsi të banesës së viktimës në Fllakë-Xhafzotaj. Sipas policisë 18- vjeçarja është vrarë fillimisht me armë zjarri, tip pistoletë, dhe më pas i është prerë koka me një sëpatë me qëllim që trupi i vajzës së re të mos identifikohej. 

Krahas vrasjes së 18 vjeçares Ajshe Vata, në muajin tetor, në Durrës, u regjistruan edhe disa raste të tjera të rënda të krimit brenda familjes, që shënuan të tjera viktima femra.

Vetëm një javë pas vrasjes së Ajshes, një 42 vjeçare Lime Dedej u vra me çekiç nga ish bashkëshorti i saj Bujar Dedej. Krimi i rëndë u krye para syve të fëmijëve të mitur të çiftit. Pa u shuar jehona e kësaj ngjarjeje një rast tjetër i rëndë u regjistrua në Krujë, kur 32 vjeçari Bashkim Zogu qëlloi me sëpatë në kraharor gruan e tij Flutura Zogu, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Ndërkohë pak ditë më vonë një parukiere, në lagjen nr.14 të qytetit rrezikoi të digjej nga ish bashkëshorti i saj Sokol Halili, i cili pasi e spërkati me benzinë tentoi t’i vinte flakën.