Po mbahet edhe këtë të enjte, në ditën e pestë, protesta e qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit. I ftuar këtë të enjte në Now me Erla Mëhillin, analisti Fitim Zekthi u shpreh se kjo protestë nuk lidhet me çështjen e Zvërnecit, por sipas tij është një reagim ndaj gjendjes së vendit.
Analisti Zekthi theksoi gjithashtu se kjo është një nga protestat më të mëdha që janë organizuar në vendin tonë, qofshin ato politike apo qytetare për çështje të ndryshme.
Sakaq, ai tha se njerëzit reagojnë kështu kur preken në dinjitetin e tyre, kur ndjehen të poshtëruar, kur ndjehen të anashkaluar dhe kur ndjehen të përzënë.
“Në gjykimin tim, kjo është protesta e parë që bëhet në Shqipëri mbas ndoshta 30 vitesh ku njerëzit janë në shesh në mënyrë komplet personale, pa ndonjë shtysë politike të madhe, edhe janë për qëllime politike për të rrëzuar qeverinë, përtej kërkesave të tjera të vogla.
Domethënë, shoh protestën e parë të madhe në Shqipëri gati në 30 vite. Mund të ketë pasur protesta të mëdha kur mblidhen partitë, mund të ketë pasur protesta të mëdha për një çështje konkrete, siç ishte çështja e armëve kimike apo çështja e studentëve. Për një protestë të madhe kundër qeverisë, për qeverisjen, për gjendjen e vendit, nuk ka ndodhur në Shqipëri ndoshta ka 30 vite, tash ndoshta që nga vitet ’97.
Kështu që, kjo është një gjë e jashtëzakonshme për zhvillimin politik shqiptar. Edhe sikur të mbyllet sot e mos të ketë më asnjë zhvillim nesër, kjo protestë ka bërë një gjë shumë të madhe: ka treguar që njerëzit mund të reagojnë. Njerëzit nuk mund të jenë në gjumë, nuk mund të vihen në gjumë, nuk mund të mpihen, nuk mund të drogohen, pra me drogën e pushtetit, pra me drogën e apatisë. Edhe llogaridhënia nuk është diçka që zhduket edhe nuk kthehet asnjëherë në jetën e njerëzve. Pra, qeveria edhe gjithë klasa politike shqiptare është duke u menduar mirë dhe gjatë me këtë që po shikon. Unë mendoj që politika shqiptare nuk do jetë më nesër si ka qenë dje, edhe më pas do ketë një lloj përgjegjshmërie tjetër, do ketë një lloj reagimi tjetër. Mund të dukem pak më shumë optimist, por e them këtë gjë edhe nga ajo që unë njoh në lidhje me historinë politike të botës edhe me historinë tonë politike.
Nuk është kollaj që në një moment të caktuar, kur të gjithë mendojnë që kemi një autokraci totale ku institucionet janë të uzurpuara, kur shantazhi, mjerimi, varfëria, kontrolli i pushtetit, kontrolli i mediave dhe gjithçka tjetër e kanë pirë shoqërinë, shoqëria çohet dhe reagon. Do të thotë që ka një nerv, vibron diçka, është një lloj ndërgjegje shoqërore. S’ka të bëjë fare me Zvërnecin kjo. Ata që mendojnë që kjo është protestë për Zvërnecin e kanë gabim. Zvërneci është shumë pak për të shpjeguar këtë protestë, është shumë pak për ta shpjeguar këtë që po ndodh.
Kjo është një protestë, është një reagim ndaj gjendjes së vendit. Është një protestë as për varfërinë dhe për mjerimin, as për papunësinë, është protestë shumë më e gjerë se kaq, është për të gjithë gjendjen. E thënë teorikisht, njerëzit reagojnë në këtë mënyrë jo vetëm në Shqipëri, por në vende të tjera të botës, kur preken tek dinjiteti, kur ndjehen të poshtëruar, kur ndjehen të anashkaluar, kur ndjehen të përzënë”, u shpreh ai.





