Policia gjeorgjiane bastisi të mërkurën zyrat e një partie opozitare dhe arrestoi udhëheqësin e saj. Qeveria po vazhdon përpjekjet për të shuar protestat masive të shkaktuara nga vendimi i partisë në pushtet për të pezulluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë gjashtë netëve të fundit, njësitë speciale të policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit, të cilët kanë hedhur ndaj forcave policore mjete piroteknike dhe kanë ngritur barrikada në bulevardin qendror të kryeqytetit. Mbi 300 protestues janë arrestuar që nga e enjtja dhe mbi 100 persona janë trajtuar për lëndime.
Mediat gjeorgjiane njoftuan se policia bastisi gjithashtu zyrat e disa grupeve të tjera opozitare dhe organizatave joqeveritare.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” fitoi shumicën në parlament në zgjedhjet e diskutueshme të 26 tetorit, të cilat u panë gjerësisht si një referendum mbi aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në bllokun evropian. Opozita dhe presidentja pro-perëndimore kanë akuzuar partinë në pushtet për manipulim të votimeve me ndihmën e Rusisë fqinje dhe kanë bojkotuar seancat e parlamentit.
Protestat e opozitës që filluan pas zgjedhjeve morën një vrull të ri pas vendimit të qeverisë të enjten për të pezulluar bisedimet e pranimit në BE.