Avokati Gentian Serjani këtë të shtunë përmes një postimi në “Facebook” ka bërë ne dije se është takuar me një nga protestuesit e ndaluar të cilin e ka indetifikuar si Niko Qarkaj. Avokati thekson se Qarkaj vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.
Sipas tij gjatë krizës së kaluar mbrëmjen e djeshme nuk ka marrë ndihmë mjekësore teksa shton se Qarkaj pretendon se është dhunuar nga policia. Ndër të tjera avokati shton se ai ka vendosur të futet në grevë urie që nga momenti i shoqërimit. Serjani ndër të tjera në postim kërkon lirimin e tij dhe të nisin hetimet lidhur me dhunimin e tij.
“Ditën e sotme vizitova të ndaluarin Niko Qarkaj, i cili u shoqërua gjatë protestës. Ai vuan nga epilepsia dhe, sipas tij, gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.
Mbrëmjen e djeshme, gjatë një prej krizave epileptike, për shkak të gjendjes së tij ai nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet apo fjalët e tij. Sipas deklarimit të tij, gjatë këtij episodi mund të ketë ofenduar punonjësit e policisë, por në vend që të merrte ndihmën e nevojshme, ai pretendon se është dhunuar fizikisht nga efektivët e policisë, duke mbetur edhe i gjakosur.
Ai ndodhet në grevë urie që nga momenti i shoqërimit. Thirrja jonë është që Niko Qarkaj të lirohet menjëherë dhe të nisë një hetim i plotë e i pavarur për veprimet e dhunshme që ai pretendon se janë ushtruar ndaj tij nga efektivët e policisë”, shkruan Serjani.





