TIRANE, 22 shkurt 2013– Përcaktohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2013. Ministria e Arsimit publikoi dje udhëzimin për mbarëvajtjen e provimeve, si dhe numrin e pyetjeve për secilin provim, por edhe kohëzgjatjen e tyre. Provimi i parë që do të japin 40 mijë maturantë është ai i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, i cili këtë vit do të zhvillohet më herët se një vit më parë, pikërisht më 31 maj. Provimi i dytë me detyrim është Matematika dhe MASH ka përcaktuar se ky provim do të zhvillohet më 14 qershor. Ndërsa për sa u përket lëndëve me zgjedhje, në udhëzimin e MASH është përcaktuar se këto provime do të zhvillohen në mbarë vendin më datë 29 qershor. Sipas këtij udhëzimi, për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore do të shfrytëzohen edhe mjedise të institucioneve të arsimit të lartë publik.
Provimet
Ministria e Arsimit nëpërmjet udhëzimit për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore ka përcaktuar se provimi i parë, ai i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë do të zhvillohet më 31 maj, më pas Matematika më 14 qershor dhe do të mbyllen më 29 qershor me lëndët me zgjedhje. "Provimet e Maturës Shtetërore 2013, të detyruara dhe me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00", thuhet në udhëzimin e MASH-it. Sipas tij, testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative. "Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternativa, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë", -thuhet në udhëzim. Ndërsa testi për provimet me zgjedhje testi do të përmbajë 20 pyetje, ku 10 janë me përgjigje alternative dhe 10 me zhvillim. "Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë", -sqarohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit në lidhje me mënyrën e hartimit të testeve të Maturës Shtetërore dhe vlerësimin e tyre. Të dyja provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Maturantët do të kenë në dispozicion nga 1 orë e 30 minuta për të zgjidhur pyetjet për secilën lëndë. Ata do ta zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Edhe këtë vit maturantëve mbetës u jepet e drejta të rijapin provimet në sezonin e dytë. Në udhëzimin e MASH thuhet se: "Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e maturës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë. Teza e provimit të Gjuhë dhe letërsi greke, për shkollën e mesme pedagogjike të minoritetit grek të përgatitet nga DAR Gjirokastër", -thuhet në udhëzimin e MASH.





