Nga qyteti i Shkodrës, ku më 1 prill të vitit 2013, kreu i LSI-së Ilir Meta dhe kreu i PS-së Edi Rama shpallën marrëveshjen për aleancën parazgjedhore, kreu i Kuvendit iu përgjigj interesit të medias për një nga temat më të përfolura dhe më me interes në radhët e politikës, nëse dy forcat politike do të jenë në koalicion parazgjedhor edhe në zgjedhjet e 2017-s.
“Interesi tani është i fokusuar te zgjedhjet brenda LSI-së. Por lidhur me koalicionin me Partinë Socialiste, ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë marrëveshjes së firmosur në Shkodër”, u shpreh Meta, pa dhënë detaje të tjera.
Megjithatë, përgjigja e tij sërish mbetet e paqartë nëse PS dhe LSI do të vazhdojnë aleancën në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Edhe pse Meta tha që “do i qëndrojnë marrëveshjes së firmosur në Shkodër”, ajo marrëveshje ishte për një koalicion 4-vjeçar mes dy forcave politike. Mbetet sërish për t’u parë.





