Ka përfunduar pak më parë procesi i numërimit të votave në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës, në KZAZ nr.21, më e madhja e bashkisë.
Nga rezultatet paraprake konfirmohet mandati i 8-të për Partinë Socialiste, ndërsa PD mbetet në 6 mandate. Rezultat i dobët për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila edhe në këtë qark ka mbetur pa mandat, ndërsa 4 vite më parë pati siguruar dy mandate deputeti.
Mes brohorimave të anëtarëve dhe mbështetësve erdhi dhe përqafimi i dy figurave kryesore të saj, koordinatorit politik Adrian Çela dhe ish-kryebashkiakut Vangjush Dako. Përqafimi mes tyre konkretizon meritat e të dyve në këtë fitore të PS-së, që arriti të merrte sërish 8 mandate, ashtu si 4 vite më parë.
Më herët në këtë qendër numërimi u shënua dhe një incident mes mbështetësve të Dakos dhe të kreut të PD të Durrësit, Ferdinand Xhaferaj.





