Nga Mentor Kikia

PS fitoi, por humbëm të gjithë!
PS ka të drejtë t’i gëzohet fitores. Organizoi një fushatë politike, duke treguar me gisht Berishën dhe Metën si alternativë dhe në vend të llogaridhënies zgjodhi show-n me saze e valle.

I eci. Ia doli. Fitoi në mënyrë dërrmuese, thuajse njësoj si në zgjedhjet e kaluara, kur ishte vetëm në fushë dhe porta e kundërshtarit ishte bosh…

Por pjesamarrja ishte më e ulëta në historinë e zgjedhjeve nga viti 1992 (përveç atyre me portën bosh, në 2019-n)
Në Vlorë, pjesamarrja ishte skandaloze, vetëm 24 %. Çfarë duhet më shumë për të kuptuar braktisjen e qytetarëve?
Elektorati “gri” ndenji në shtëpi.

“Bie shi, çta prish terezinë. Në fund të fundit, do të ndryshojë gjë?”
Të rinjtë ishin abstenuesit më të mëdhenj.

Ata, dhe veçanërisht ata që votonin për herë të parë, nuk ishin thjesht bojkotues. Ata e braktisën politikën.
Të rinjtë nuk braktisën vetëm opozitën dhe Berisha-Metën, por tërë kastën politike. Ata nuk mandatuan as “ndryshimin”, as “vazhdimin”.

Këtu askush nuk i bën këto analiza. Sepse atij që fiton, i mjafton edhe 10% pjesëmarrje, mjafton të fitojë 50% +1 vota të këtij 10 %-ndëshi.

Dhe për këtë mjafton shtresa e pensionistëve (me një shpërblim para zgjedhjeve), militantët dhe administrata.
Të tjerët le të ikin në Angli dhe në Gjermani.
Ndërsa opozita, pasi nuk frymëzoi dot votën masive, tani është e zënë me listimin e arsyeve se përse fituan ata…