Nga Nebil Çika
12 dhjetor 2014 – Në debatin dhe ligjin për hapjen e dosjeve duhet pa tjetër të përfshihen edhe shkrimtarët e artistet e organizuar në atë që quhej Lidhja e Shkrimtareve dhe Atristëve , shkurt "Lidhja" . Si të gjitha organizatat satelite të PPSH edhe Lidhja ka pjesën e sajë në krimin komunist 45 vjeçar . Me qe diktatura synoi dhe realizoi zhdukjen e elitave kulturore arti dhe kultura ishin fushat më të minuara të sajë . Ka me dhjetëra raste të denoncuara të angazhimit të shkrimtareve dhe artistëve më ë shquar të realizmit socialist në proceset politike kundër shkrimtareve e artistëve të vrarë apo te burgosur nga regjimi . Ne te shumtit e rasateve ata thirreshin si ekspertë te sigurimit pasi oishin rekrutuar me parë prej tij dhe detyra e tyre ishte të gjenin “prova”, veprimtari armiqësore, ne veprat e te arrestuarve nga sigurimi dhe ne te gjithë rastet ata i kane “zbuluar me sukses këta armiqë”. Nuk ka asnjë rasat te vetëm ku “eksperti “ të ketë dalë në përfundimin qe i arrestuar nga sigurimi para se ti behej “ekspertiza” te mos kishte bërë punë armiqësore ne veprën e tij letrare apo artistike. Por jo vetëm kaq nje pjese e mire e tyre janë përdorur edhe si spiune te rëndomtë qe spiunonin shokët e tyre shesh here edhe në mënyrë vullnetare ( pa ja caktuar si detyrë operativi i sigurimit) të shtire nga cmira personale e profesionale. Rënduese dhe pjese e krimit janë edhe karakteristikat zyrtare që lëshoheshin nga drejtuesit e lidhjes në qendër apo degë për shkrimtarët e artistet e arrestuar sipas porosive te sigurimit . Në shumë raste ato kanë qenë edhe prova të rëndësishme në dënimet shumë të rënda që merrnin njerëzit e artit dhe kulturës në Shqipëri . Por jo vetëm kaq . Diskutimet ne mbledhjet demaskuesve ndaj shkrimtareve e artisteve armiq apo dekadentë qe u paraprinin në të shumtën e rasateve edhe arrestimeve publike në sallë , duhet te jene pjese e dosjeve te hapura dhe ligjit te lustracionit që po është dorëzuar tashme ne Kuvend .
Personalisht jam habitura nga ajo shkallë e lartë e inkriminimit, faqes se zeze, të Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artistëve e sidomos ligësinë që një pjese e mire e tyre kane shfaqur ndaj kolegëve shokëve e shpesh herë edhe miqve të tyre ,sapo partia i ka shpallur ata armiq e sigurimi i ka arrestuar. Jam ne perfund9im te një studimi mbi këtë veprimtari te Lidhjes , sigurisht shume më të zgjeruar se ajo qe mund te përmbledhë e te parashikoje ligji i lustrcionit, dhe kam pothuaj ne përfundim një libër për këtë çështje. Un jam tronditur shumë nga ato qe kam parë e lexuar, besoj që edhe publiku do ndjehet si unë kur të njihet me to. Por nuk është ky thelbi i shkrimit. E mora si shembull studimin tim për të treguar se sa e rëndësishme është që edhe shkrimtarët e artistët e asaj kohe të futen ne siten e ligjit te dosjeve . Kjo pjese e veprimtarisë kriminale te tyre duhet bere publike . Ata janë njerëz me ndikim ne publik . lexuesit dhe artdashësit e tjerë i dina ata njerëz te rëndësishëm. Te rinjtë i kane idhuj e ndoshta edhe shembuj në jetë. Kështu që mund te krijojnë perceptime te gabuara për modelin qe duhet te ndjekin për fajin se askush nuk u thotë te vërtetën për ta .
Por edhe politika ka ndjeshmëri te madhe për ta. Pers hak te famës dhe te mundësisë për te mbledhur vota ata preferohen si kandidate për deputete apo poste te rëndësishme shtetërore . Disa prej tyre kane qene deputete e ministra . Veprat e tyre sponsorizohen ende nga shteti . Ata ne emër te shoqërisë civile përfitojnë projekte miliona euro te akorduar nga qeveria dhe BE. Kjo është e turpshme dhe duhet te ndalojë një here e përgjithmonë.
Për ketra arsye , por sidomos për te thëne te vreten , një detyruam ligjor dhe hyjnor këta njerëz duhet te përfshihen ne3 ligj . Ligji nuk mund te ketë moralin dhe legjitimitetit e nevojshëm kur merret me njerëzit e indoktrinuar e injorante te shkollave ushtarake nga fshatrat me te thella te Shqipërisë dhe përjashton “ elitat kulturore” të komunizmit ne se ai sistem kishte e pranonte vërtetë të tilla.
12-12 -2014
Për ta kuptuar me mire çështjen po botojmë te plote një akt- ekspertizë të plote të përgatitur në shërbim të “Sigurimit të Shtetit” nga dy shkrimtare nga më të rëndësishmit te realizmit socialist , me pozicione te rëndësime politike e shtetërore në “demokraci “!
AKT-EKSPERTIMI
PËR SHKRIME TË AUTORIT BASHKIM SHEHU
Tiranë, më 10.7. 1982.
Ne, Dalan Shapllo e Teodor Laço, shkrimtarë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u thirrëm si ekspertë nga hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bashkim Asllani për të kryer ekspertimin e shkrimeve të autorit Bashkim Shehu për të përcaktuar pikëpamjet e tij armiqësore në to.
Në dispozicionin tonë për ekspertim u vunë romani “Retë e detit”, skenari i filmit “Skëterrë 43” novella “Premiera e teatrit të kukllave”, tregimi “Zhurma e daulles”, si dorëshkrime të këtyre shkrimtarëve.
Pasi u studiuan me vëmendje nga ana jonë materialet e mësipërme, arritëm në konkluzionin se autori Bashkim Shehu në këto shkrime ka future pikëpamje të ndryshme reaksionare, armiqësore e pseudofilozofike të huazuara nga shkrimtarë dekadentë borgjezë e revizionistë të cilat vinë në kundërshtim të hapur me politikën e Partisë së Punës të Shqipërisë në fushën e letërsisë dhe të arteve me metodën e letërsisë së realizmit socialist në këtë fushë.
Dorëshkrimi i romanit “Retë e detit” dhe skenari i filmit “Skëterrë 43” kanë ndryshime të parëndësishme midis tyre, ndryshime që nuk e prekin thelbin e përbashkët, prandaj edhe do t’ i trajtojmë bashkërisht.
Në pamje të parë, dukej sikur autori B. Shehu donte të shkruante një vepër që u kushtohej të internuarve që dhanë jetën në kampet e përqëndrimit të fashizmit. Ka edhe një shënim për këtë në fund të dorëshkrimit të romanit.
Dihet se në letërsinë tonë dhe në letërsinë përparimtare botërore ka mjaft vepra që i kushtohen kësaj teme. Janë botuar kujtime nga vuajtjet e asgjësimet në masë në kampet e përqendrimit të fashizmit e nazizmit. Në tërë këtë letërsi të realizmit socialist bile edhe e shkrimtarëve botërorë e përparimtarë, dy janë qëllimet e mëdha: të paraqesin qëndresën shpirtin e paepur, sakrificën, format e rezistencës kundër xhelatëve, fitoren morale dhe të pasqyrojnë dhunën e egërsinë e fashizmit e të pasuesve të tij si pjella më e shëmtuar e reaksionit e të borgjezisë së shekullit tonë.
Në këto vepra, pikënisja dhe pasqyrimi artistik mbështeten në ngjarje e fakte të vërteta dhe realizmi i tyre tronditës ka luajtur rol në formimin e ndjenjës antifashiste të popujve. Le të kujtojmë p.sh. qoftë edhe dy vepra të botuara në vitet e fundit, si romani “Shkëndijat e jetës” i Remarkut dhe drama “Hetimi” i Peter Vajsit.
Përkundër traditës sonë realiste, madje edhe asaj tradite përparimtare botërore që pasqyron me vërtetësi këtë realitet, romani dhe skenari janë pjellë e fantazisë së autorit pa asnjë mbështetje jetësore dhe kjo fantazi është drejtuar plotësisht në shërbim të një ideje pseudofilozofike, të një teze e cila është shtruar e zgjidhur sipas disa parafabrikateve të huajtura nga letërsia perëndimore.
Po le t’ i shohim gjërat me radhë.
1.Që këtyre veprave u mungon realizmi bie në sy menjëherë. Asnjë lexues a spektator që i ka jetuar ato ngjarje nuk do të gjente ndonjë përngjasim midis jetës së të burgosurve e të internuarve në kampet e Porto-Romanos a të Prishtinës me atë jetë që përshkruhet në “Retë e detit”. Sepse, para së gjithash, asnjëri prej tyre nuk e ka ndjerë veten kaq pasiv, kaq të izoluar nga jeta e Lufta Antifashiste, kaq të shkëputur nga idealet e mëdha të komunizmit që secili i ruante të gjalla dhe kaq të çorganizuar e të gjymtuar shpirtërisht, sa na jepen personazhet e romanit e të skenarit. Dihen dhjetëra shembuj të çarjes së burgut të Tiranës më 1943, të arratisjeve, të rezistencës së organizuar në burgje e kampe, të shfaqjes së “Vilhelm Telit” në burg, të këngëve partizane që u krijuan, kënduan nëpër burgje (ka edhe vepra të letërsisë sonë me këto tema) etj. Ç’ provonin këto ngjarje? Se, pavarësisht nga terrori fashist, në burgje e kampe ziente rezistenca e organizuar e drejtuar nga komunistët dhe e mbështetur nga tërë populli dhe se ky realitet, fashistët i vinte në vështirësi të mëdha, sepse ata jo vetëm burgosnin, vrisnin, por bënin edhe demagogji për të bërë me vete popullin, siç predikonin. Nga gjithë ky realitet qëndrese ç’ kemi në “Retë e detit”? Thuajse asgjë. Një farë “greve” e nxitur nga pakënaqësia, sepse ushqimet e pakove dolën të mykura. Pa këtë “incident” as kjo s’ kish për të ngjarë.
Të internuarve këtu u mungon çdo ndjenjë e perspektivës, madje ata jepen aq të topitur e të zhytur në botën e tyre personale, në hallet e pasionet e veta (shpesh janë pasione seksuale, një gërshetim i ekzistencializmit me frojdizmin ky) sat ë duket se nënkoloneli Eispozito ia ka arritur qëllimit të tij për të krijuar një turmë pa fytyrë, amorfe dhe është një truk i autorit për të kapërcyer hendekun ajo që Profesori nuk thyhet dhe ky dështim pastaj e shpie në vetëvrasje Eispoziton!! Se sa absurde është kjo zgjidhje u duk edhe nga qëndrimi mosbesues i spektatorit ndaj filmit si dhe nga ato vërejtje që iu bënë atij.
2. Aty-këtu, në roman thuhet se në kamp ka një celulë komuniste. Ç’ bën kjo celulë dhe kush e përbën atë?
Ajo nuk bën thuajse asgjë. Na thuhet se nxjerr një gazetë, por nuk lexojmë asnjë rrjesht të saj, nuk e shohim në dorë të kurrkujt, nuk dihet asnjë efekt i saj. Kjo “gazetë” as ngroh ndonjë të burgosur, dhe as i ftoh fare autoritetet fashiste, se është aq e papërfillshme sa mund të pohojmë se edhe përmendja e saj është bërë nga zori, si një parandalim i vërejtjeve që mund të bëheshin për këtë pikë.
Na thuhet se celula organizon “greva”. Si? Qysh? Në ç’ rrugë ia arrin ta bëjë për vete atë masë që paraqitet aq heterogjene? Pasi na ka prezantuar një ish-prokuror të mbretit, një erotoman, autori e harron prezencën e tij dhe i bën të gjithë të burgosurit “kompaktë” në ndarjen e ushqimeve apo në marrjen e ca vendimeve. Një tjetër absurditet ky, kur në kamp janë “mbledhur” (s’ dihet pse) njerëz të korenteve politike aq të kundërta si komunistë e ish-funksionarë zogistë.
Kush bën pjesë në këtë celulë? Ç’ jetë, ç’ zhvillim e ç’ ndjenja të zgjojnë këta personazhe që duhet të ishin në epiqendër të veprës, ashtu siç janë në epiqendër të veprave të vërteta letrare dhe që këtu janë spostuar në periferi? Një njeri që quhet “Profesori”, një ish-liceist, Grigori, një farë Vlashi (pa kurrfarë të dhëne tjetër), një Mitat, ish-sindikalist i Kuçovës, një Syrja nga Grupi i “Zjarrit”. Drejton Bardhyl Skurraj, “Profesori”. Personazhi tjetër afër tyre, ai që ze më shumë vend është Filip Bogova, një mjek që ka ndihmuar rastësisht një ilegal (Ai e pohon vetë që ndodhet këtu “rastësisht”). Mitati, ish-sindikalisti i Kuçovës, një njeri gati pa kurrfarë biografie, propozon diçka të një natyre tjetër nga veprimet e deritanishme të celulës komuniste në kamp (f. 35-36 e dorëshkrimit). Ajo që propozon ai është “të ndahen ushqimet barabar”, pra solidaritetin në kamp. Ç’ veprime të mëparshme para këtij solidariteti mund të bënte kjo celulë vallë? Përgjigja nuk është e vështirë. Fjalë pa bereqet. Ky Mitat, i vetmi punëtor i porsaskicuar në vepër, më vonë bën një gjest revolte të kotë hakmarrjeje, vete sit ë thuash me këmbët e tisj si cjapi te kasapi dhe këtu mbaron “misioni” i tij prej punëtori që duhej të ishte një nga qendrat e celulës e të rezistencës. Autori në përshtatje të plotë me vizionin që shtypi borgjez përpiqet të krijojë mbi dy tipa komunistësh; njëri fanatik e pa ndjenja e tjetri diçka më njerëzor e me ndjenja ka krijuar Syrjain e Grigorin.
Syrjai na jepet si komunist që s’ ka besim te elementi i ri, është kundër intelektualëve (duke e përligjur këtë me pjesëmarrjen e tij në Grupin e “Zjarrit”), por në të vërtetë thelbi i tij është fanatik, konservator, inatçi. Kurse Grigori, nga anon simpatia e hapur e autorit, është liberal, i ndjeshëm. Ai ka rënë në dashur (me shikimin e parë) me Mirën (gjithashtu edhe ajo) dhe të dalldisur nga kjo dashuri që lind në skëterrë, apo më tepër të dalldisur nga pasioni, tërhiqen në një qoshe të fshehtë dhe aty vriten të dy. Kurse Syrjai ekzekutohet si tradhëtar. Dy “tipa”, dy funde. Njëri “hero”, tjetri tradhëtar. Këta janë komunistët e celulës!
Veç kësaj, ndonëse na thuhet se mbajnë lidhje me Qarkorin, këta komunistë s’ dinë asgjë për situatën në Shqipëri, as për çetat për luftën. E vetmja frazë që thuhet është se çetat po veprojnë në Labëri, Mallakastër e Devoll, por asnjë lloj informacioni tjetër nuk vjen e nuk përhapet në kamp. Asnjë lloj agjitacioni apo thjesht asnjë fjalë për sukseset e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për atentatet kundër gjerarkëve, për betejat, asnjë trakt i Partisë që do të ngjallte besim e optimizëm nuk hyn këtu, me gjithë “lidhjet me Qarkorin”. Gjithçka është në izolim të plotë, në peshën e ankthit të një të panjohure të afërt, të errët e pa rrugëdalje.
Si përfundim, për këtë pikë, veprimtaria dhe roli i Partisë, i i komunistëve në kamp është pasqyruar në një prizëm të shtrembër, tendencioz për nga vështrimi i rolit të tyre, që del i papërfillshëm.
3. Të shohim si paraqitet pala tjetër antagoniste, fashistët. Këtu ata përfaqësohen me një figurë mjaft të plotë, të analizuar shpesh deri në skutat më të thella, si nënkoloneli Espozito. Figurat e tjera si mjeku i kampit, Perani, Soddu, zonjusha Rikes gjithashtu kanë individualitet më të madh dhe u është kushtuar më tepër vëmendje se sa personazheve “pozitivë” që përmendëm.
Nënkoloneli Eispozito duket se do që të përfaqësojë thelbin filozofik të fashizmit, i cili i bëri për vete ndër të tjera teoritë reaksionare të Niçes për “Mbinjeriun e racën e zgjedhur”. Në të vërtetë, si nënkoloneli, ashtu dhe mjeku nuk janë dhe aq përfaqësues të një sistemi ideologjie të caktuar, por materializojnë atë rrënjë filozofike që autori e ka huazuar andej-këtej, që nga Kierkegori, Niçja sipas të cilave të gjitha veprimet e njeriut shpjegohen me fillesën biologjike, me parimin e të zgjedhurve e jo të të zgjedhurve, sundimtarëve e të nënshtruarve.
Që këta njerëz nuk na jepen si pjella të sistemit fashist, pra si qënie shoqërore të përcaktuara nga ideologjia së cilës i shërbejnë, por si qënie ku gjithçka është përcaktuar prej fillesës biologjike, këtë e ilustron më së miri pohimi i mjekut të kampit, njërit prej xhelatëve kryesorë të kampit, në f. 159-160. Autori thotë se mjeku nuk ka ndonjë devotshmëri të veçantë ndaj fashizmit, lidhjet e tij me të nuk janë ideologjike e shpirtërore dhe rrjedhimisht, profesioni i mjekut qe për të “një atribut sundimi mbi qëniet njerëzore”.
Te Eispozito, kjo prirje për të sunduar është çuar deri në absurdin e manisë së madhështisë. Që në fillim ai i jep vetes atributet e një Demiurgu (krijuesi). Qëllimet e tij në këtë kamp nuk janë dhe aq në përputhje me situatat në vend apo me detyrat konkrete që mund t’ ia ngarkojnë eprorët, po thjesht eksperimentale, të karakterit gjoja “filozofik”, pra personale. Gati-gati, ai s’ ka asnjë epror, asnjë kontrollor. Edhe këtu nxjerr krye teza e autorit, variacion mbi tema të Mbinjeriut niçean dhe mundësitë e tij. Ai (Eispozito) ëndërron një kamp ku nga lënda e parë “amorfe”, rebele, kryeneçe do të përfitonte një amalgamë të çuditshme, pa shembull në kujtesën e njerëzimit. Të burgosurit do të manipulohen “jo si individë po si bashkësi qëniesh pa identitet, të shkrira në një të tërë amorfe ndaj së cilës ai do të qëndronte si i Gjithëfuqishmi përpara gjinisë së ulët larvoide të gjallesave të Tokës”. Dhe më poshtë “Unë do të krijoj kohën e qenve”. –mendonte nënkoloneli Eispozito me një ckërkitje të brendshme kënaqësie, gati-gati në kufijtë e ekstazës (f. 120) dhe pastaj “do t’ i mbush netët me kërcëllimë dhëmbësh të mëdhenj, të bardhë që do të dukeshin akoma më të bardhë e më të mëdhenj nën dritën e hënës, do t’ ua mbushte natën dhe ëndërrat me të lehura të frikshme, ehoja e të cilave do të depërtonte thellë deri në dridhjen e eshtrave të skeletit” (f. 121).
Duket si përçartje e gjithë kjo. A nuk janë përpjekur herë pas here që edhe veprimet e Hitlerit e të të tjerëve t’ i “justifikojnë” si pasojë të qënieve biologjike të sëmura?
Nga ana tjetër, një tru i eksituar, si ai i Eispozitos dhe një fantazi gjithashtu e eksituar nga turli lloj lexime të letërsisë moderniste, sidomos nga Kafka, si ajo e autorit, do të pillnin edhe tortura specifike, si ajo që përshkruhet në f. 134-138, një torturë massive, në natyrë të hapur, të cilës të burgosurit i nënshtrohen si turmë e verbër, pa kurrfarë hezitimi e lufte (tamam në një rrethanë ku mund të luftonin!). Qentë dalin nga ca barka misterioze prej detit, barka që i ka sjellë apostafat një luftanije e porositur nga Eispozito dhe sulmojnë turmën prej 500-600 të burgosurish!!
Cili është efekti që donte të arrinte autori te lexuesi me anë të skenave të tilla macabre, si kjo apo varrosja për së gjalli etj? Urrejtja apo ankthi? Sigurisht është më tepër ankthi, frika përpara këtyre Mbinjerëzve e predikimi tërthorazi i nënshtrimit.
Se san ë situatë pa krye e rrugëdalje e kishte projektuar autori këtë konflikt në kamp, duket edhe nga zgjidhja skematike që u gjet më vonë në film si një tentativë për të shpëtuar atë kur një çetë partizane që s’ është parë kurrkund deri atëhere, e sulmon kampin dhe me ca “urra” i liron të internuarit.
4)Në roman ka jo vetëm ndikime të hapura të frojdizmit, po edhe një tentativë të vërtetë për ta materializuar e përligjur atë. Që problemet e seksit, pasionet seksuale janë preokupacion, dramë e shtytje për veprime të pakontrolluara kjo duket qoftë edhe në linjën e Grigorit me Mirën për të cilën folëm. Po fare troç këto thuhen me rastin e vizitës së murgeshave në kampin e grave. Që në bisedën e parë të tyre shprehet shqetësimi se me kë e bëjnë aktin seksual murgeshat, me njëra tjetrën apo me padren që i rrëfehen (f. 77). Pasi thonë se duhet bërë diçka në kamp, vajzat vazhdojnë bisedën për hallin e murgeshave që “nuk e njohin dashurinë e mashkullit e që janë dënuar të mos e ndiejnë erën e tij”. “Ne, ia bënë dy, ne s’ qenkemi dhe aq keq” (f. 78). Dhe kush e bën këtë bisedë? Vajzat shqiptare që nderin e kishin virtytin më të çmuar. A ka fyerje më të madhe se sa kjo bisedë e huajtur nga filmat e seksit me të cilat sot është mbushur ekrani perëndimor i vendeve revizioniste, në gojën e vajzave të internuara? Po le të shohim më poshtë.
-Përse keni nevojë?- pyesin murgeshat.
-Përse kemi nevojë? Për burra- tha me zë të ulët një vajzë.
Pas kësaj, instikti seksual i zgjohet një të burgosuri (nga ata të kequshqyerit) dhe thotë “Ta di se më vrasin, unë do ta kap atë”. Është fjala për një murgeshë të bukur. Në f. 178-179 tregohet se gratë e kampit, pasi i kanë ndarë në “të bukura” e “të shëmtuara” përçahen e armiqësohen menjëherë me njëra tjetrën. Pra, të gjitha janë thjesht “femra” në kuptimin që borgjezia u jep atyre, të krijuara për të kënaqur me bukurinë e seksin e tyre burrat dhe ato jepen të ndërgjegjshme për këtë se mjaftoi që u prek pika e dobët, thelbi që përcakton karakterin, që të vijnë në origjinë. Luftëtare janë këto, apo masë amorfe si ajo që do të krijojë Eispozito?
5)Disa herë, në letërsinë tonë janë bërë përpjekje për të pasqyruar sesi e shohin popullin tonë, historinë e tij dhe karakterin e shqiptarit të huajt dhe armiqtë. Në një letërsi me dinjitet edhe armiku jepet me dinjitet dhe jo si psikopat. Pra, rrjedhimisht, përfundimet që nxjerr ai nga kontakti me shqiptarin tërthorazi pohojnë edhe disa anë të pakundërshtueshme që gjithë bota ia njeh shqiptarit, siç janë trimëria, besa etj. Si i jep autori këto anë me gojën e Eispozitos që “ nga të dhënat krijon arketipin shqiptar” (f. 68), “specie e rrallë, inatçore, kapadaillëk përtej çdo kufiri, armiqësi e bashkëlidhur (!) ndaj të huajit”, kurse historia karakterizohej nga “një vetëizolim i plotë ndaj fqinjëve dhe ndaj çdo vendi tjetër” dhe ai “do ta zhdukte vetëdijen kombëtare po me atë armë që ata e kishin përdorur shekuj të tërë për ta mbajtur gjallë, me izolimin, me një hermetizim të plotë e të përkryer nga mjedisi i vetë vendit të tyre” (f. 69).
Një transplatim i tillë mekanik i atyre që thonë sot kasnecët e reaksionit për ne disa vite më parë duket se bëhet me tendencë, porse pohimet që sillen qoftë edhe me gojën e një Eispozitoje janë gjithashtu tendencioze nga autori.
6.Manierizmi i autorit në përshkrimin e mjedisit, si dhe një figurë e tillë si ajo e piktorit Serafin S, i sëmurë shpirtërisht e psikikisht (shih tentativën e tij të çuditshme për vetëvrasje), theksojnë gjithashtu dëshirën e tij për ta pikturuar tërë atë kohë në ngjyra të errëta, gri, shterpë, pa asnjë dritë e gjelbërim shprese. Nga ana tjetër spikat dëshira për të përshkruar mjediset jashtë Shqipërisë me nuance të shumta vlerash artistike (shih pasditet në vilën e tezes së Eispozitos).
7) Vihet re se autori do të manipulojë gjithandej me një lloj erudicioni manualesh dhe me një terminologji të huajtur nga fjalorët e ndryshëm të artit, arkitekturës, teknikës filozofisë. Kjo dhe dëshira e tij për të mbingarkuar gjuhën e veprës me fjalë të huaja krejt të panevojshme, tregon edhe një farë shpërfillje për këtë detyrë të shkrimtarit. Vetëm në 10-12 rreshta të f. 12 p.sh, gjejmë këto fjalë “avancoi (propozime), disproporcion, preokupim, konkret, sugjerim, modifikim, preliminare, intensivisht, i parikuperueshëm, irritim, suplementar, bindje të korruptuara, inerte, refraktare. Të njëjtën vërejtje mund të bëjmë edhe për mbingarkesat figurative që ktheheshin në qëllim në vetëvete duke vështirësuar kuptimin.
Si përfundim, romani dhe skenari janë vepra jorealiste, me një frymë të theksuar subjektiviste e të sëmurë me një pasqyrim të shtrembër të rolit të komunistëve në rezistencën antifashiste, me një përçmim të hapur të femrës shqiptare dhe me një dyndje të ideve filozofike reaksionare që materializohen nëpërmjet rolit të një përsonazhi si Eispozito, torturat e të cilit si dhe gjithë përshkrimi i jetës e i mjedisit të kampit rrahin të zgjojnë një ndjenjë ankthi e nënshtrimi.
U ndalëm më gjatë në këto dy vepra sepse duke qenë vepra të gjata; aty ka mundur të gjejë shesh veprimi më shumë edhe qëllimi armiqësor i autorit.
Novela “Premiera e teatrit të kukllave
Kjo novelë e botuar në “Nëntori” ka disa ndryshime midis dorëshkrimit dhe variantit të botuar, ndryshime të cilat i janë sugjeruar autorit nga redaksia për të evituar ndonjë interpretim të pasaktë e madje të shtrembër siç mund të kuptohej nga nënteksti dhe simbolika e novelës, interpretim që ka mbetur në dorëshkrimin për të cilin flasim dhe që shpreh synimin e konceptet e autorit. Këtu e kemi fjalën për dorëshkrimin e novelës.
Është fjala për atë nënkuptim e interpretim të ndërtesës ku vendoset teatri i kukllave si një han me dy porta ku mund të hynte e të dilte kush të donte dhe të shtrohej këmbëkryq, të bënte ligjin sipas qejfit, pa marrë parasysh zotin e vërtetë të vendit. Ky aludim mund të interpretohej me përmasa të gjera. Aty hyjnë e dalin mbretër, bejlerë e reaksionarë zogistë-gjë që mund të merret si një aludim për amullinë politike që sundonte në kohën e Zogut, por aludimi tjetër që qysh prej çlirimit e deri në fillim të viteve ’60 në këtë godinë sovjetikët bënin ligjin si u donte qejfi, madje u propozonin portierëve të ndershëm të bëheshin spiunë dhe nga kjo nuk u hynte ferrë në këmbë, është i gabuar dhe hedh baltë mbi një periudhë të tërë, nga njëra anë pa bërë asnjë dallim midis sovjetikëve në vitet 45-53 kur rronte Stalini, me ndryshimin e dukshëm revisionist të viteve pas vdekjes së tij dhe, nga ana tjetër, sepse pavarësishy nga miqësia dhe marrëdhëniet e mira, në asnjë periudhë Partia jonë nuk i ka lejuar sovjetikët të hiqen si zotër e ligjvënës.
Problemet e tjera ideoartistike të novelës, kanë të bëjnë sidomos me ndikimin e teknikave të huaja moderniste të prozës, teknika të future në mënyrë të kamufluar. Duke kaluar nga një shkollëzë moderniste te tjetra, sipas leximeve, autori, me sa duket, këtu priret nga ajo teknikë që është quajtur e antiromanit francez e që përfaqësohet sidomos nga veprat e shkrimtarit Rob Grije. Në këtë lloj letërsie personazhi dhe fabula (rrëfimi i ngjarjes) s’ kanë asnjë rëndësi dhe përparësi ka vetëm përshkrimi i hollësishëm i objekteve e sendeve rreth njeriut, të cilat sipas kësaj teorie, përfaqësojnë në të vërtetë edhe thelbin e njeriut.
Në novelë, veç një kukllabërësi me emrin Simon, për të cilin na jep ndonjë të dhënë biografike apo veprim dhe përmendjes së bëmave të njëfarë Dardanellovi, drejtor i klubit i cili na paskej në dorë të ulte e të ngrinte nga froni i tyre mjaft gjeneralë e diplomatë (nënkupto- gjithçka vendoset nga policia e fshehtë e Sigurimi), s’ ka asnjë personazh të plotë letrar, për të cilin mund të flitet me plot gojën. Po dhe rrëfimi (fabula) është krejt e copëzuar, pa asnjë vazhdimësi, thjesht në funksion të disa aludimeve të turbullta ideore, gjoja se historia po i vendos tani në rradhët e kukllave gjithë ç’ kishin hyrë e dalë në këtë ndërtesë.
Sa për teknikën moderniste të prozës, le të vihet re se me çfarë hollësish e përshkruan autori ndërtesën e teatrit, çfarë hollësira jep për kukllat, për rekuizitën, për dhomat, për telajot e dekoreve etj. Janë përshkrime aq monotone e tendencioze sa vetëm me durim mund t’ i shtysh. Kështu p.sh, në faqet e para autori “derdh” tërë dijenitë e tij mbi shkollat e ndryshme të arkitekturës, të cilat një farë arkitekti shqiptar na i paska bashkuar këtu në një përzierje aq eklektike sa s’ ka asnjë gjurmë kombëtare.
Tregimi “Zhurma e daulles”
(Nga libri “Një kohë tjetër” botuar më 1977)
Autori e quan këtë tregim “përrallë groteske në dy pjesë”. Le ta pranojmë si përrallë. Ngjarjet ndodhin 100 e ca vjet më parë. Ç’ na tregon kjo përrallë me pak fjalë? Na thotë se praën një fshati që lidhej me botën me një urë një natë u shfaq papritur një kasolle si gungë dheu, nga vinte një zhurmë e pandërprerë daulleje, ditë e natë me të njëjtin ritëm. Kushdo që kalonte te ura duhet të hidhte këmbët sipas ritmit të saj.
Pas disa hezitimeve, fshatarët ndjekin shembullin e një loloje, i cili pranoi i pari të hidhte këmbët sipas daulles dhe kalojnë mbi urë, në rrjesht njëri pas tjetrit. Këtë truk na e paska sajuar agai, zot i vendit.
Pra, të gjithë pranuan, u nënshtruan, i hodhën këmbët sipas daulles së “zotit të vendit”. Një turmë amorfe, nën peshën e frikës që nënshtrohet.
Në pjesën e dytë shfaqet “shpëtimtari”. Ky ishte një lëkurëpunues me djemtë e tij, që sajon një daulle akoma më të madhe. Daullja e re, me zhurmën e saj, jo vetëm që e shurdhon atë të agait, por rajanë e nënshtruar plotësisht e ngre në këmbë, hidhet mbi rojet, e prishin daullen, kurse daullja e re pëson ca pak gërvishtje po riparohet lehtë.
Cili është morali i kësaj përralle? Edhe sikur t’ i marrim të dy “daullet” si përfaqësues të ideologjive të caktuara, një reaksionare dhe një e re, përparimtare, prapë morali i saj del fare i gabuar e tendencioz në paraqitjen e realitetit (pas çdo përralle ka një pikënisje reale e cila zmadhohet e vishet me fantazinë e çudinë) për dy arsye: E para, sepse tërë fshati, fshatarët, nënkupto tërë popullin, pranon e i nënshtrohet totalisht daulles (nënkupto ideologjisë) dhe i hedh këmbët sipas saj. Kjo gjë hedh baltë mbi masat, i konsideron ato turma pa kurrfarë dinjiteti e ndjenje klasore. E dyta, këtë turmë mund ta shpëtojë nga gjendja poshtëruese ku ka rënë vetëm një individ i shquar (këtu, lëkurëpunuesi) me daullen e re. Rrjedhimisht, koncepti i historiografisë borgjeze se janë disa individë të shkëputur ata që e bëjnë historinë del haptazi, duke e injoruar plotësisht mësimin marksist-leninist se janë masat ato që e bëjnë historinë.
Veç kësaj, aludimi politik këtu është i dukshëm. Njerëzit janë të izoluar (një alegori reaksionare sipas së cilës një turmë abstrakte është e ndarë nga bota) dhe për të hedhur prapë vallen u dashka dikush, një njeri i shquar që të dijë t’ i vejë në lëvizje njerëzit, sipas një daulleje të re. E këtu, si dhe në shkrimet e tjera, kemi të dhëna të dukshme se mendimi i vërtetë i autorit bashkohet me korin e reaksionit: vendi ynë i izoluar kishte nevojë për një udhëheqje të re.
Të gjitha këto flasin për një përdorim të ndërgjegjshëm të rrymave moderniste, për një subjektivizëm të theksuar letrar dhe për qëndrime politike armiqësore.
Dalan Shapllo . Firma
Teodor Laço Firma
/gazeta Minerva/





