Nga BUJAR QESJA

Rrëfimet e mia orientohen nga dy drejtime, mbase mund ta shprehim edhe që mbështeten në dy drejtime:

Së pari fokuson të gjallët dhe jetën e tyre.

Së dyti: të larguarit bëjnë presionin e të qënurit dikur në mes nesh.

Ndonëse natyrë e fortë, prekem teksa në vështrimin tim, të gjithë të njohurit por edhe të panjohurit, më duket sikur flasin me mua dhe më thonë:

-Mos na harroni. Jemi përpjekur të bëjmë diçka për qytetin tonë. Kemi punuar, por kemi qenë edhe së bashku. Kemi qenë në një rrugicë, në një lagje, në një qytet, në një ndërmarrje, në një ekip sportiv, në një grup artistik. Kemi ndarë njëri me tjetrin halle dhe shqetësime, por edhe gëzime dhe kënaqësi jetësore.

E gjithë kjo, në fokusin e një profesionisti veteran të letrave, por edhe të një durrsaku, i lindur në këtë qytet me 15 gusht 1951, përbën temat e të shkruajturit, të të menduarit, të të gjykuarit, duke u orjentuar në dy rrugë: në të jetuarit dhe të pajetuarit, që të dy pjesë të lidhura ngushtësisht njëra me tjetrën.

Jorgo Gjini! Absolutisht njeri shumë i thjeshtë, modest në arritjet e t’ia. Si shumkush ka bërë në jetë atë që është më e mira. Mësues i lëndës së biologji kimisë. Ka punuar në fshat, por edhe në qytet. Gani Krasniqi më thotë, se disa vite ishte në pozicionin e konsulentit edhe në seksionin e arsimit të rrethit. Por gjithnjë, kudo ku shkoi dhe punoi, kur ndërtoi familjen e tij të dashur, kur u bë bashkshort, prind dhe gjysh ai mbeti gjithnjë Jorgo Gjini.

Sikur të mos ishte Facebook, kjo hapsirë gjigande informimi, bashkëpunimi dhe lidhje jetësore me këdo që na njeh dhe e njohim, apo edhe që se njohim, mbase këto punët e mia të lapsit, do të ishin krejt ndryshe. Por pse është ky fb unë mësova, se Jorgo Gjinit para 20 viteve, iu largua nga jeta gruaja e shtrenjtë Eli Jorgollari. Mësova se Pavlin Gjini është djali i madh i Jorgo Gjinit.

Më vjen para disa ditësh dhe më takon Josif Gjini, djali i dytë i Jorgo Gjinit.

-Më ka lanë baba një porosi: kur të shkosh në Durrës të më takosh Bujar Qesen dhe ti bësh të fala nga unë. Ti thuash që veçanërisht mosha e jonë, është shumë e ndjeshme ndaj memories qytetare, që ai djalë aq shumë i përkushtohet Durrësit dhe njerëzve të të tij, duke shkruar pa pushim. Qajmë me lotët e shpirtit. Jepi bekimin dhe uratën time.

Josifi largohet, duke më taksur një qerasje shpirtërore dhe duke më dhënë lajmin, se mbase pas disa javësh babai i tij Jorgo Gjini, mund të vi në qytetin ku ka mbresat më të pashlyeshme të jetës.

Jorgo Gjini si shumë durrsakë, emigroi për në Itali duke iu vënë pas dy djemve. Jeton në Bressanone, në provincën e njohur të Pordenones. Jeton prej gati 30 vitesh atje, por me sytë dhe zemrën e lënë aty, në Durrësin e tij. Aty ku jam edhe unë, duke vënë në punë lapsin dhe mëndjen time.

Jorgo Gjini është i datëlindjes 13 korrik 1929 dhe i bie të jetë 92 vjeç. I duhen edhe tetë vite të mbushë 100 vite jetë, e barabartë me një shekull. Jorgo ishte jo vetëm qytetar shembullor i Durrësit, ai mendon edhe se është, por edhe një tifoz i flaktë i “Lokomotivës”.

Jorgo më çfaq ato mjediset aq të paharruara, aq joshëse, aq tërheqëse të tifozërisë ku diskutonin për ekipin e zemrës të qytetit, për djemtë e tyre futbollistë. Në diskutime mbaj mënd që ishin disa nga më të flaktët si Pano Zëri, Pëllumb Shaba, Jorgo Gjini, Stefan Dhima, Sotir Grami, Mihal Roshi, Nikolla Martika, Martin Çeta, Jahja Ballhysa (në mos gaboj), Tut Muhaxhiri, Gim Kashami e të tjerë e të tjerë emra që nuk më kujtohen. Sa bukur diskutonin dhe debatonin njëri me tjetrin. Dhe kur mblidheshin një grumbull i stërmadh tek posta e qytetit, për tu informuar mbi rezultatin e “Lokomotivës” së tyre, parashikimet ishin nga më të ndryshmet. I kujtoj me shumë mall ato mjedise të ngrohta sportëdashësish, me nota paksa ekstreme tifozërië.

Dhe ndërmjet tyre më janë janë fiksuar, diskutimet publike të Jorgo Gjinit. Arsyetimet e tij objektive, dëgjoheshin nga shumica dhe miratoheshin. Jorgo si arsimtar, me nivel të formuar kulturor kishte peshë tek njerëzit. Ndonëse i ri, i kujtoj ato mjedise. Disa janë me frymë, e shumë të tjerë janë larguar nga bota e jonë e gjallë, por jo nga memoria dhe kujtesa. Është ai presion që na bëjnë për të mos i harruar dhe kjo me të gjallët tim as ka për të ndodhur.

Jorgo Gjini e nxjerr mallin e futbollit, me nipin e tij Enkelin dhe i kujtohet djali i Halit Himës Miri. Kështu jeton edhe në tokë të huaj Jorgo Gjini ynë, burri i mënçur dhe shumë i dashur, me shumë mall dhe nostalgji të paimagjinueshme për Durrësin dhe durrsakët. Prandaj edhe dërgoj djalin e tij Josifin, të na tregonte mallin e tij dhe të na mbante me shpresë, se punë javësh ky 92 vjeçar do të prekë tokën e bekuar të qytetit, ku kaloi jetën e tij të punës dhe të shpresës.

Jorgo Gjini do të vi. Dhe ne do ta presim të mirin dhe të respektueshmin mikun tonë. Atë do ta bjerë në Durrës malli i pashuar.

Jorgo Gjini 92 vjeçar do të ndjehet i ri, kur të prekë tokën e jetës së tij. Dhe atëhere kemi të drejtë të shprehemi:

Jorgo Gjini, ky i ri 92 vjeçar. A nuk ndjehet kështu çdo i moshuar, që i kthehet Durrësit pas viteve të tëra largim?

Jorgo Gjini është përgjigja.