Nga DurrësLajm

Edhe të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”, i vendosur përballë 4 gazetarëve e analistëve si dhe moderatorit Blendi Fevziu, kryeministri Edi Rama u mundua të bënte estradën e rradhës duke ofruar në shumicën e kohës kakofoni, ndërhyrje dhe replika të panevojshme dhe aspak zgjidhje reale për atë që prej më shumë se një jave është bërë çështja kryesore e ditës, protesta e studentëve që të premten hyri në ditën e 10-të të saj. 

Si në të gjitha rastet e tjera kur ndodhet në vështirësi, Rama preferon të shkaktojë ilaritet me përgjigjet e tij pa përgjigje, me kthimin e debatit në nivel personal dhe me mosmarrjen e asnjë përgjegjësie, por duke e adresuar atë tek të tretët. Ai që është ekspert i të gjitha fushave kur pushton ekranet televizive (duke folur edhe atëherë kur i takon ministrave dhe drejtorëve të tij të flasin), ngërdheshet, shtrëngohet dhe me sytë poshtë thotë se kryeministri nuk i di të gjitha, kur vihet përballë abuzimeve dhe mediokritetit qeverisës të dikastereve dhe hallkave burokratike të administratës shtetërore dhe nuk mund t’i justifikojë me pelivanllëqet teatrale që i ka shumë përzemër. 

Gjatë këtyre 10 ditëve, përballë artikulimit mjaft të qartë të studentëve nga studiot televizive apo nga lidhjet live të televizioneve se përse janë në shesh dhe çfarë kërkojnë nga kjo qeveri, Rama përfundimisht ka ngelur në klasë me bishtnimet e dala boje që bën. Madje as shprehjen e tij të famshme – S’keni parë gjë akoma! – nuk e përdor dot më, pasi janë studentët që ditë pas ditë po i tregojnë se s’ka parë gjë akoma!

Një pjesë e studentëve protestues me deklaratën e tyre nga një tjetër studio televizive: “Plotëso kërkesat, se s’je më kokëfortë se ne” duken mjaft qartë, që ia kanë pirë lëngun kryeministrit dhe nuk u besojnë aspak deklaratave mikluese të tij kur i fton për dialog. Madje, po kanë guximin që me zë dhe figurë, pa u intimiduar aspak, t’i bëjnë të kuptojë se nuk janë aspak të barabartë siç po përpiqet t’i bindë kryeministri, por përkundrazi janë shumë më të fortë, pasi me vete kanë të drejtën.  

Çdo kryeministër i përgjegjshëm do të kishte hedhur deri tani disa hapa konkretë që të tregonte të paktën vullnetin e tij të mirë për dialog real dhe të sinqertë me studentët, duke shkarkuar pa asnjë vonesë pikë së pari të gjithë përgjegjësit kryesorë për situatën alarmante ku ndodhet arsimi i lartë. Nga studio e “Opinion”, Rama tha se do të shkarkojë të gjithë përgjegjësit, POR vetëm pasi të ulet në bisedime me studentët. Kësaj i thonë: Unë aromën e jashtëqitjes e kam tek hunda, por nuk e vë komunalen ta pastrojë, sepse do vazhdoj të dhj*s! 

Është fatkeqësi për këta studentë që prej ditësh qëndrojnë në të ftohtë përballë një kryeministri që ende shpreson se me makinacionet e tij do arrijë të lodhë dhe demotivojë studentët. Rama duhet të kuptojë, sa më shpejt aq më mirë, se përballë një kryeministri 54-vjeçar, të lodhur e të konsumuar nga zullumet e një pushteti që po mban erë prej 5 vitesh, ka përballë mijëra 20-vjeçarë mjaft të motivuar për të treguar se kur rinia kërkon atë që me të drejtë duhet të përfitojë nuk ka forcë që ta ndalë. 

Kryeministri ka vetëm 5 vjet e 3 muaj që po qeveris, studentët kanë vetëm 10 ditë që janë ngritur dhe kanë dëshmuar një forcë dhe një shpresë që Rama s’ka ditur asnjëherë ta përcjellë tek populli i tij. Ndërsa gazetari Robert Rakipllari në studion e “Opinion” i tha se qeveris prej 6 vitesh, Rama nxitoi të saktësonte me forcë se nuk ishin 6 vjet. Ndoshta, në koshiencën dhe subkoshiencën e tij, Rama e kupton qartë se s’do mund t’i arrijë 6 vite qeverisje…