Muaji shkurt nisi me një ngjarje tragjike në Durrës. Në datë 2 shkurt, Majlinda Cuku humbi jetën nga dora e bashkëshortit të saj Lulzim Cuku. Muaji shkurt po mbyllet sërish me një ngjarje tragjike. Hajdie Tosuni gjeti vdekjen po nga dora e burrit të saj, paraditen e së mërkurës. Secila prej tyre la pas 3 fëmijë, që përveç mungesës së pazëvendësueshme të nënës do t’u duhet të jetojnë edhe me faktin se babai i tyre është vrasës.
Një natë më parë, një tjetër nënë e 3 fëmijëve humbi jetën së bashku me vëllanë e saj, po nga dora e bashkëshortit. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Rrëshenit. Esmeralda Filopati, 36 vjeçe, humbi jetën nga plumbat që derdhi mbi të ish-bashkëshorti Fatmir Kolecaj.
Në dy rastet e rënda në Durrës, arsyet që kanë rrëfyer bashkëshortët vrasës për krimin janë thuajse absurde.
“Ishte e re dhe e bukur dhe unë isha xheloz” – do të shprehej Lulzim Cuku para hetuesve.
“Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava” – tha të mërkurën Ruzhdi Tosuni në polici.
Një njeri me logjikë të shëndoshë do të shokohej nga të tilla shpjegime, por fatkeqësisht numri i lartë i femrave që kanë gjetur vdekjen nga duart e partnerëve apo njerëzve të afërm tregon sesa e pambrojtur është femra në duart e atij që kthehet në xhelatin e saj.
Lulzim Cuku në marrinë e tij braktisi në shtëpi edhe fëmijët e mitur, duke u shkaktuar 3 të vegjëlve të tij një traumë edhe më të rëndë, pasi qëndruan për pak orë pranë trupit të gjakosur të nënës së vdekur.
Majlinda dhe Hajdija, dy femra të vrara brenda më pak se një muaj është një bilanc shumë tragjik për një qytet si Durrësi. Për më tepër mënyra e vrasjes së tyre nga bashkëshortët, në një moment konflikti të çastit, është një këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë.
Madje, fill pas ngjarjes, ish-deputetja e PD-së Fatbardha Kadiu, në një status të saj, fliste deri për armatosjen e femrave për vetëmbrojtje.
“Edhe pse tingëllon e rëndë, ky është realiteti” – shkruante Kadiu.
Mund të jetë tingëllojë vërtet një masë ekstreme, por para nevojës për armatosjen e femrave kemi nevojë si shoqëri të “armatosemi” me logjikë të shëndoshë.
Pas ekzekutimit të Esmeraldës dhe vëllait të saj nga ish-bashkëshorti me të cilin ishte ndarë 3 vite më parë, kishte nga ata maskilistë që nëpër rrjete sociale shkruanin me mllef ndaj të ndjerës apo grave që zgjedhin të ndahen nga bashkëshortët e dhunshën për të mos iu nënshtruar më dhunimit të përditshëm.
Edhe pas kufomave të grave të vrara në mënyrë barbare nga ata që supozohen të jenë partnerë jete, edhe pas klithmave rrëqethëse të fëmijëve të mbetur pa nënë, ka ende mes nesh shumë prej atyre që thonë: Mirë ju bë, se nuk të vret njeri pa shkak, kushedi se ç’ka bërë!
O tempora! O mores!