Asnjë çift nuk e nis martesën duke menduar se diçka do të shkojë keq, por shpesh realiteti sjell sfida të papritura. Sipas psikologut Mark Travers, një martesë e lumtur nuk ndodh vetvetiu – ajo kërkon përkushtim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Në një intervistë për Psychology Today, ai rendit dy të vërteta që duhet të pranoni nëse doni një martesë të gjatë dhe të shëndetshme.
1. Nuk mund të ndryshoni nevojat e partnerit tuaj
Shpesh, zakonet apo mënyrat se si partneri relaksohet mund të duken të bezdisshme, por në shumicën e rasteve ato nuk janë të dëmshme. Travers thotë se përpjekja për të ndryshuar partnerin sipas një imazhi ideal në mendjen tuaj mund të sjellë vetëm pakënaqësi.
Ndërsa sjelljet e rrezikshme nuk duhet injoruar, preferencat e përditshme – si koha me miqtë apo pasioni për një hobi – janë shenja të një kujdesi ndaj vetes. Madje, sipas tij, këto veçori individuale mund të forcojnë martesën nëse pranohen dhe respektohen.
“Lumturia individuale e partnerit nuk është kërcënim për tuajën. Është e shëndetshme të ruani individualitetin brenda martesës,” thekson Travers.
2. Partneri juaj nuk mund t’ju lexojë mendjen
Sipas tij, një nga keqkuptimet më të zakonshme në çift është pritshmëria që partneri duhet t’i kuptojë nevojat pa u shprehur. Ai e konsideron këtë si një ide të gabuar, që shpesh çon në zhgënjim.
“Komunikimi është thelbësor. Shumë probleme nuk janë të dukshme, ndaj është e rëndësishme të flisni hapur për ndjenjat dhe nevojat tuaja,” thotë psikologu. Ai nënvizon se një marrëdhënie e fortë ndërtohet mbi ndershmëri dhe përpjekje për të kuptuar njëri-tjetrin, jo mbi intuita të gabuara.
Në përfundim, Travers thotë se për të pasur një martesë të suksesshme, duhet të pranoni se nuk jeni identikë me partnerin dhe se duhet të komunikoni vazhdimisht – dy shtylla të rëndësishme për një jetë në çift të lumtur.