24-vjeçari Bektash Muka, drejtuesi i makinës “BMW X6” që nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar tri ditë më parë në kryeqytet, e përfundoi në avllinë e një banese, nuk e kishte për herë të parë që e bënte një veprim të tillë.
Edhe në muajin shkurt të këtij viti, ai ka thyer postbllokun e policisë dhe ka goditur më pas makinën e tyre në tentativë për t’ia mbathur.
“I arrestuari më datë 25.09.2016 për armëmbajtje pa leje dhe thyerje të postbllokut të Policisë, bën të njëjtin veprim edhe në muajin shkurt 2016 duke goditur makinën e Policisë”, njofton policia e Tiranës, duke shpërndarë edhe pamjet e rastit të 7 muajve më parë.
Makina luksoze e tij përfundoi në murin rrethues të një banese te “Komuna e Parisit” në kryeqytet dy ditë më parë. Gjatë kontrollit në makinën e Mukës, Policia ka gjetur një pistoletë dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja që 24-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të “Shqiponja-ve”, për t’u ndaluar. Ai u arrestua bashkë me dy shokët që gjendeshin në makinë me të.





