Dita e çlirimit të qytetit është përkujtuar në sallën e këshillit bashkiak duke anashkaluar tërësisht protokollin

Bashkia e Durrësit harron 254 dëshmorët e rënë për çlirimin e qytetit, ndërsa në sallën e këshillit bashkiak ku u zhvillua ceremonia ka pasur reagime të ashpra nga veteranët kundrejt pushtetit lokal. Mungesa e vëmendjes nga ana e bashkisë për ceremoninë përkujtimore të çlirimit të qytetit duket se nuk është kapërdirë nga veteranët dhe të afërmit e dëshmorëve. Ndryshimi i protokollit dhe mosndjekja e traditës ka indinjuar ata që sakrifikuan aq shumë për lirinë e këtij vendi. Ceremonia solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944, e organizuar në sallën e këshillit bashkiak, e cila nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas me fjalën e kryetarit te Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ka ngjallur debate mes bashkisë, veteranëve  të luftës dhe të afërmve të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

Këta të fundit kanë kundërshtuar ceremoninë e organizuar nga bashkia në sallën e këshillit bashkiak, ku ndryshe nga vitet e kaluara, ceremonia përkujtimore e 67-vjetorit të çlirimit të Durrësit nuk ka nisur me bandën frymore të qytetit dhe me ngritjen e flamurit në shesh, ashtu sikurse e donte tradita. Ndërkaq pas plot 67 vjetësh në përkujtim të kësaj dite historike ,14 nëntorit 1944, pushteti vendor harroi gjithashtu edhe 254 dëshmorët e rënë në luftë për çlirimin e qytetit. Asnjë nga pushtetarët vendorë nuk vizitoi mauzoleumin e dëshmorëve në këtë ditë të shënuar për qytetin, ndërsa kreu i bashkisë u mjaftua vetëm me fjalimin e rastit përpara veteranëve. Duket se axhenda e pushtetarëve vendor ka qenë “shumë e ngjeshur” me aktivitete e takime të tjera, pasi nuk ka justifikim tjetër për indiferencën e treguar ndaj kësaj date të rëndësishme në historinë e qytetit tonë dhe ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e qytetit e të mbarë vendit. Me përfundimin e ceremonisë modeste të organizuar nga bashkia, veteranët e luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, vizituan ekspozitën “Histori dhe Art”, të hapur enkas për këtë ditë nga drejtues të Galerisë së Arteve Pamore në Durrës.