·       Dendësia e popullsisë e Shqipërisë është 100.7 banorë për kilometër katror

·       Qarku i Tiranës ka shifrën më të lartë: 481 banorë për kilometër katror

·       Vetëm 3 qarqe kanë dendësi mbi 150 banorë për kilometër katror

·       Dendësia më e ulët përqendrohet në verilindje (qarku i Kukësit) dhe në juglindje (qarku i Gjirokastrës), ku shënohet edhe dendësia më e ulët, me rreth… 25 banorë për kilometër katror!

 

DURRËS, 30 prill 2015 –  Në fund të vitit 2014, qarku Durrës-Krujë me një popullsi gjithsej prej 275 698 banorë (mbi 9,4 për qind të numrit gjithsej të republikës), arriti një dendësi popullsie prej 359,9 banorë për një kilometër katror, nga 100,7 banorë për kilometër katror që është mesatarja në shkallë vendi, njoftoi Instituti i Statistikave (INSTAT).

Qarku i Tiranës, me një popullsi gjithsej prej 794 658 banorë (mbi 27,4 për qind e popullsisë së vendit gjithsej prej 2 894 476 banorë), shënon dendësinë e popullsisë më të lartë në vend, me 481 banorë për kilometër katror. Dendësia e popullsisë në mes të vitit 2014 është 100.7 banorë për kilometër katror, vlerë e cila ka pësuar ndryshime shumë të vogla në pesë vitet e fundit. Vetëm 3 qarqe kanë dendësi mbi 150 banorë për kilometër katror. Mund të thuhet se dendësitë më të larta të popullsisë janë përqendruar në zonat qendrore të vendit. Qarku i Tiranës, i cili përfshin edhe kryeqytetin e Shqipërisë, ka dendësinë më të lartë: me 481 banorë për kilometër katror në vitin 2014. Qarku i dytë me dendësinë më të lartë është Durrësi me rreth 360 banorë për kilometër katror dhe pasohet nga qarku i Fierit me 167 banorë për kilometër katror në vitin 2014.

Nga ana tjetër janë vetëm dy qarqe, dendësia e të cilëve është nën 40 banorë për kilometër katror. Dendësia më e ulët përqendrohet në zonat më periferike të vendit tonë, në verilindje (qarku i Kukësit) dhe në juglindje (qarku i Gjirokastrës), ku shënohet edhe dendësia më e ulët e territorit të Shqipërisë, me rreth 25 banorë për kilometër katror. Në tabelën më poshtë jepen shifrat, kurse harta paraqet dendësitë për 12 qarqet e vendit, ku ngjyra e errët tregon qarqet me dendësi më të lartë, ndërkohë ngjyra më e lehtë qarqet me dendësi më të ulët, thotë INSTAT-i.

/përpunoi statistikat th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/