Si rezultat i kontrolleve të pandërprera në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura nga inteligjenca policore, Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Flagranca 2” në kuadër të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
Armando Kashari, 37 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Amarild Zaçe, 39 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Isuf Elezi”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi A. K, dhe pasagjer A. Z.
Gjatë intervistimit nga punonjësit e policisë të dy këta shtetas kanë shfaqur shenja nervozizmi. Në vijim të veprimeve, pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit A. K, shërbimet e Policisë kanë gjetur në brez një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.