ITALI, 28 prill 2013 – “Doja t’u qëlloja politikanëve, jo karabinierëve”. Kështu mësohet të ketë thënë para prokurorit të Romës, personi që qëlloi paraditen e sotme para pallatit Chigi, selia e ekzekutivit italian.

Sipas prokurorit Pierfilippo Laviani, Luigi Prieti nuk është një njeri që vuan nga probleme psikike. Mësohet se burri ka vepruar i vetëm.

Ceremonia e betimit të qeverisë italiane, e parashikuar të zhvillohej në orën 11.30, u sfumua nga ngjarja e sotme që shkaktoi plagosjen e dy karabinierëve dhe tronditi opinionin publik italian.

Luigi Prieti, një 49 vjeçar nga Calabria, i veshur në mënyrë elegante me kostum e kravatë, papritmas hapi zjarr duke plagosur dy policë. Mesa duket 49 vjeçari donte të qëllonte politikanët, por në pamundësi për t’i goditur ata ai hapi zjarr mbi forcat e rendit.

Në fillim mediat italiane raportuan se bëhej fjalë për një person me probleme mendore, por vëllai i atentatorit hodhi poshtë këto supozime.

Prieti jetonte në qytetin e tij të lindjes, Rosarno, ku ishte kthyer pasi ishte divorcuar me gruan e tij, me të cilën ka dhe një fëmijë 10 vjeç.

Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, Prieti ishte i papunë dhe vitet e fundit kishte humbur gjithçka. “Është një njeri i dëshpëruar”,- tha prokurori i Romës duke iu referuar të ndaluarit.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/