Itali, 14 gusht 2014 – Nga Italia vjen një histori tepër interesante dhe njëkohësisht trishtuese. Bowling, një qen 7-vjeçar, ka sakrifikuar veten e tij për të shpëtuar jetën e një fëmije që po rrezikonte të mbytej në det. Historia ka ndodhur në plazhin e San Benedetos.

Claudio Coppola dhe familja e tij kishin vajtur në plazh. Me vete kishin marrë edhe qenin e tyre të quajtur Bowling. Në një moment, djali i vogël Luka, vetëm 5 vjeç, i humbi kontrollit të nënës së tij dhe u fut në detin e trazuar dhe me dallgë tepër të mëdha.

Luka, filloi të bërtiste sepse ndodhej në rrezik, por askush nuk po e dëgjonte, përveç qenit të tij i cili filloi të lehte me të madhe duke e kuptuar rrezikun. Por edhe qenin e shkretë askush nuk po e kuptonte përse lehte. Bowlling, vendosi të futej vetë në det për të shpëtuar fëmijën.

Edhe pse me vonesë të madhe, babai Claudio e pa fëmijën që ishte në rrezik dhe futet vetë në det duke e nxjerrë atë shëndoshë e mirë. Por harroi qenin, i cili për fat të keq nuk ja doli dot të mbijetonte në detin e trazuar. 

Edhe pse me gëzimin se fëmija e tyre shpëtoi, familja Coppola vendosi mos të shkojë më në plazhin e San Benedettos.

Kjo është historia e vërtet e qenit Bowling, i cili për të shpëtuar fëmijën, sakrifikoi veten e tij. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/