TIRANE- Deri në vitin 2015 qeveria ka planifikuar të përdorë 6.8 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë dollarë për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë. Shuma buxhetore e përcaktuar në favor të ish të dënuarve bëhet publike në vendimin “Për miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2013-2015”, të rishikuar dhe të miratuar nga Këshilli i Ministrave ditët e fundit të vitit që sapo lamë pas. Ndërsa në buxhetin e këtij viti qeveria ka përcaktuar shumën prej 3 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, në dokumentin e kuadrit afatmesëm ekonomik specifikohet se nga buxheti i shtetit do të përdoren për kompensimin e ish-të dënuarve 1.8 miliardë lekë për 2014-ën dhe 2 miliardë lekë në vitin 2015. 

KËSTI I DYTË E I TRETË 

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë, shuma prej 3 miliardë lekësh e vënë në dispozicion këtë vit do të përdoret për shlyerjen në masë të madhe të këstit të dytë të dëmshpërblimit, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia që po me këtë fond të nisë edhe shlyerja e këstit të tretë. Po ashtu, sipas burimeve zyrtare të qeverisë, rezulton se deri në tetor 2012 rreth 85% e të përndjekurve kanë marrë këstin e parë, ndërkohë që 3% kanë përfituar këstin e dytë. Deri tani janë përgatitur 23 vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat u përkasin kategorive: të pushkatuar pa gjyq 305 persona të shpërblyer, të dënuar me dënim kapital 1039, që kanë përfituar dhe të dënuar me burgim janë 10385 persona, që kanë përfituar pagesat respektive. 

SHUMAT 

Sipas vendimeve të deritanishme të qeverisë është parashikuar që shumat të shpërndahen në 8 këste, ndërkohë që deri tani është shpërndarë kësti i parë për pjesën dërrmuese të ish-të përndjekurve dhe vazhdon ndarja e të dytit. Po sipas të dhënave të dokumentit qeveritar, rezulton se duke nisur nga viti 2009, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është përdorur nga buxheti i shtetit fondi total prej 4.7 miliardë lekësh, rreth 50 milionë dollarë, përkatësisht: 2.2 miliardë lekë për vitin 2009, 1 miliard lekë për 2010-ën dhe 1.5 miliardë lekë për 2011-ën. 

8 KËSTE

Aktualisht, në 23 vendime të Këshillit të Ministrave gjatë gjithë këtyre viteve u është njohur e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit financiar rreth 11800 ish-të burgosurve të kohës së komunizmit. Sipas sektorit të pagesave për të dënuarit politikë, strukturë pranë Ministrisë së Financave, numri i aplikantëve që kanë paraqitur në shtet kërkesë për njohjen e dënimit në kohën e komunizmit është në total 23 mijë. Është parashikuar që dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve të bëhet në tetë këste. Ministri i Financave, Ritvan Bode bëri me dije përmes një deklarate lëshuar gjatë fundit të vitit të shkuar se, shlyerja e plotë e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë do të përfundohet gjatë dy mandateve të ardhshme qeveritare. Deklarata u bë nga ministri gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku ishte thirrur nga socialistët për të dhënë shpjegime mbi gjendjen e mbrojtjes sociale në vend. Ministri theksoi gjithashtu se, kësti i dytë i dëmshpërblimit mund të shlyhet tërësisht brenda vitit 2013 ndërkohë që 6 këstet e mbetura, sipas Bodes, do të shlyhen tërësisht gjatë dy mandateve të ardhshme qeverisëse.