Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ngritjen e një baze të dhënash për trafikun detar në Shqipëri.

Kjo bazë do të regjistrojë të dhënat të detajuara për të gjithë mjetet lundruese që hyjnë dhe dalin nga portet shqiptare dhe do të jetë në administrim të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Durrës.

Kjo bazë e të dhënave shtetërore përmban mes të tjerash të dhënat për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese në dhe nga portet shqiptare, të dhënat e udhëtimit, data e koha e mbërritjes dhe nisjes, porti i fundit i nisjes dhe porti i mbërritjes, numri i udhëtimit, emri i agjentit ose personit të autorizuar që bën thirrjen portuale.

Do të mbledhë gjithashtu të dhënat e formularit të mbetjeve, përkatësisht: tipi i mbetjeve dhe porti i dorëzimit të mbetjeve, kapaciteti maksimal i ruajtjes, mbetje në bord, parashikimi i mbetjeve që do të gjenerohen, mbetje nga karburanti, mbeturina ushqimesh të riciklueshme, mbeturina që dalin nga ngarkesa kargo, mbetje nga ngarkesat, ujëra të ndotura; të dhënat e formularit të sigurisë, të dhënat e deklaratës së shëndetësisë, të dhënat për planin e portit, përkatësisht: planifikimi i ankorimit të mjetit lundrues në port, emri i portit, ku akostohet mjeti lundrues, kalata e akostimit, emri i pilotit (nëse ka); të dhënat për inspektimin e antikontrabandës, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, data e inspektimit, ngarkesa, displamenti i llogaritur, rezultati, diferenca, grupi i antikontrabandës.

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR TRAFIKUN DETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Krijimin e sistemit të bazës së të dhënave shtetërore, të quajtur “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar”, në administrim të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).
  2. Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar përmban të dhëna parësore që konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga kjo bazë të dhënash, ku përfshihen:

a) të dhënat për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese në dhe nga portet shqiptare, të dhënat e udhëtimit, data e koha e mbërritjes dhe nisjes, porti i fundit i nisjes dhe porti i mbërritjes, numri i udhëtimit, emri i agjentit ose personit të autorizuar që bën thirrjen portuale;
b) të dhënat e “IMO FAL”:

i. Deklarata e përgjithshme “General Declaration”;
ii. Deklarata e ngarkesës “Cargo Declaration”;
iii. Deklarata e furnizimeve të anijes “Ship’s Store Declaration”;
iv. Deklarata e sendeve të ekuipazhit “Personal Effects Declaration”;
v. Lista e ekuipazhit “Crew List Declaration”;
vi. Lista e pasagjerëve “Passenger List”;
vii. Manifesti i mallrave të rrezikshme “Dangerous Goods Manifest”;
c) të dhënat e formularit të mbetjeve, përkatësisht: tipi i mbetjeve dhe porti i dorëzimit të mbetjeve, kapaciteti maksimal i ruajtjes, mbetje në bord, parashikimi i mbetjeve që do të gjenerohen, mbetje nga karburanti, mbeturina ushqimesh të riciklueshme, mbeturina që dalin nga ngarkesa kargo, mbetje nga ngarkesat, ujëra të ndotura;
ç) të dhënat e formularit të sigurisë, përkatësisht: detaje të sigurisë së mjetit lundrues, niveli i sigurisë, 10 thirrjet e fundit portuale, aktiviteti anije me anije, lista e kontrollit për sigurinë e bunkerazhit dhe certifikatat e sigurisë së mjetit lundrues;
d) të dhënat e deklaratës së shëndetësisë, përkatësisht: certifikata e vlefshme e kontrollit të higjienës dhe pyetje shëndetësore mbi gjendjen e pasagjerëve;
dh) të dhënat për planin e portit, përkatësisht: planifikimi i ankorimit të mjetit lundrues në port, emri i portit, ku akostohet mjeti lundrues, kalata e akostimit, emri i pilotit (nëse ka);
e) të dhënat për lejen mujore dhe praktikën e nisjes/mbërritjes. Për lejen mujore përzgjidhen anija, porti, periudha e lejes mujore, ekuipazhi etj., ndërsa për praktikën e nisjes/mbërritjes plotësohet destinacioni dhe koha e nisjes/mbërritjes, numri i pasagjerëve, numri i ekuipazhit, si dhe një kopje e dokumentit të copyrole;
ë) të dhënat për inspektimin doganor, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, numri i inspektimit, data e inspektimit, pjesëmarrësit në procesin e inspektimit dhe rezultatet e inspektimit;
f) të dhënat për kontrollin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, emri i kapitenit, data e kontrollit, porti dhe vendndodhja, ngarkesa, numri i ekuipazhit dhe pasagjerëve, grupi i kontrollit dhe komente;
g) të dhënat për inspektimin e shëndetësisë, përkatësisht: zona e inspektimit, data e rinspektimit, nëse u gjetën prova, rezultatet e inspektimit dhe komentet.
gj) të dhënat për inspektimin e Kontrollit Shtetëror të Flamurit dhe Kontrollit Shtetëror të Portit, përkatësisht: data e inspektimit, tipi i inspektimit, kontrollet operacionale, zonat e inspektuara, të dhëna specifike të inspektimit, certifikatat përkatëse, mangësitë, si dhe dokumente shtesë;
h) të dhënat për inspektimin e antikontrabandës, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, data e inspektimit, ngarkesa, displamenti i llogaritur, rezultati, diferenca, grupi i antikontrabandës.

  1. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga baza të tjera të dhënash, si:

a) Portali unik qeveritar e-Albania për kodin unik të përdoruesit dhe kodin e shërbimit elektronik;
b) Sistemi i Inspektoratit Qendror (e-inspektimi) për të dhënat e inspektimit të peshkimit, ku përfshihen:

i. të dhëna të inspektimit të një anijeje peshkimi në det, si: anije, objekt inspektimi, identifikimi i jashtëm, emri dhe flamuri, nr.IMO nëse ka, lloji i anijes, thirrje radioje e paraimbarkimit, shkallare litari, identifikimi i inspektorëve, inspektimi i dokumenteve dhe autorizimeve, certifikata e regjistrit detar, kontrolli i fuqisë motorike, SVA funksionuese, njoftimi paraprak, certifikata për sistemet e peshimit në bord, inspektimi i zënieve, inspektimi i mjeteve, rrjeta ose lloji, detyrime financiare/gjobë, pagesa e taksës vjetore;
ii. të dhëna të inspektimeve të anijeve të peshkimit në port ose në zbarkim, ose përpara shitjes së parë, si: identifikimi i jashtëm, emri dhe flamuri i anijes, lloji i anijes, certifikata e regjistrit detar, nr.IMO nëse ka, kontrolli i SVA-së i paraimbarkimit, njoftimi paraprak, të dhënat e lejes së peshkimit, numri i faqeve të librit të anijes së peshkimit, inspektimi i zënieve, kontrolli i dimensioneve minimale për zëniet, vegla e peshkimit në përputhje me llojin e peshkimit të përcaktuar në licencë, dimensioni i syzes së mjeteve të peshkimit, detyrime financiare dhe gjobë, pagesa e taksës vjetore;
c) Sistemi i monitorimit të anijeve të peshkimit (VMS system) për të dhënat e anijeve të peshkimit, ku përfshihen: numri VMS, vendndodhja/destinacioni i anijes;
ç) “Regjistri i mjeteve lundruese”, për të dhënat e mjeteve lundruese me flamur shqiptar, ku përfshihen: emri i anijes, nr.i matrikullit, tonazhi i anijes, gjatësia e anijes.

  1. Dhënës të informacionit janë:

a) agjencitë, agjentët detarë dhe përfaqësuesit e autorizuar të mjeteve lundruese;
b) kapitenët dhe drejtuesit e mjeteve lundruese;
c) institucionet ligjzbatuese detare, si:

i. Drejtoria e Përgjithshme Detare;
ii. Policia Kufitare dhe Migracionit;
iii. Dogana dhe Antikontrabanda Detare;
iv. Roja Bregdetare;
v. Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës;
vi. Autoriteti Portual dhe portet detare shqiptare shtetërore dhe private;
vii. strukturat vendore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH).
ç) Dispeçeria e Peshkimit.

  1. Baza e të dhënave të sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” ndërvepron me baza të tjera të dhënash: sistemin e monitorimit të anijeve të peshkimit VMS (Vessel Monitoring System), sistemin qendror të inspektimeve (e-inpektimi), portalin unik qeveritar e-Albania dhe regjistrin e mjeteve lundruese.
  2. Niveli i aksesit në sistemin “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” është, si më poshtë vijon:

a) Administratorët e sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave në sistem vetëm në lidhje me menaxhimin e përdoruesve, roleve të përdoruesve, porteve dhe të dhënave konfiguruese dhe referencë të sistemit;
b) Agjentët detarë dhe përfaqësuesit e autorizuar të mjeteve lundruese kanë të drejtë të bëjnë kërkesë regjistrimi të përdoruesve në sistem dhe kanë të drejta leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave të praktikave mbi mjetet lundruese, për të cilat kanë autorizim të përfaqësojnë;
c) Drejtoria e Përgjithshme Detare ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese, inspektimeve (nga Kontrolli Shtetëror i Flamurit dhe Kontrolli Shtetëror Portual), si dhe të drejtë leximi të njoftimeve e të raporteve të mjeteve lundruese me risk;
ç) Autoriteti Portual/portet detare (shtetërore dhe private) kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese, si dhe të planit të portit;
d) Dogana dhe Antikontrabanda Detare kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese dhe të inspektimeve e të raporteve doganore të mjeteve lundruese;
dh) Policia Kufitare dhe Migracionit ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave të mjeteve lundruese përkatëse dhe të raporteve të kontrollit të mjeteve lundruese (kryer nga PKM-ja);
e) Roja Bregdetare ka të drejtë leximi dhe shkrimi/modifikimi të të dhënave të mjeteve lundruese të RB-së, të drejtë leximi të praktikave e të raporteve të mjeteve lundruese përkatëse;
ë) Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës ka të drejtë leximi dhe shkrimi/modifikimi të të dhënave të mjeteve lundruese të peshkimit, të mjeteve lundruese të Inspektoratit të Peshkimit, të raporteve të inspektimit për mjetet lundruese të peshkimit, si dhe të drejtë leximi të raporteve të tjera për mjetet lundruese të peshkimit;
f) Inspektori i shëndetësisë (struktura vendore e OSHKSH-së apo doktori/inspektori i shëndetësisë së Autoritetit Portual) ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese dhe të raporteve të inspektimit të shëndetësisë;
g) AKU-ja (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese tregtare;
gj) Struktura përgjegjëse për administrimin e informacionit dhe statistikave në mjedis ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit;
h) Koordinatorët institucionalë të strukturave pjesëmarrëse në QNOD, si dhe oficerët e shërbimit/civilë të turnit në sallën operacionale të QNOD-së kanë të drejtë leximi të të dhënave, praktikave të mjeteve lundruese, të raporteve të inspektimit, të riskut etj., brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, si dhe të shkëmbejnë informacion ndërmjet tyre, në interes të nevojave operacionale;
i) Inspektorët e sallës operacionale në QNOD kanë të drejtë leximi të të gjitha të dhënave të mjeteve lundruese, praktikave të mjeteve lundruese, inspektimeve, riskut dhe raporteve;
j) Struktura përgjegjëse për përpunimin e informacionit dhe statistikave në turizëm ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese turistike.

  1. Çdo përdorues identifikohet në sistem nëpërmjet llogarisë së tij personale dhe ka role me nivele aksesi e të drejta, sipas rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore për trafikun detar”, e cila miratohet nga drejtori administrativ i QNOD-së.
  2. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar”, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave, bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  3. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Roja Bregdetare, Policia Kufitare dhe Migracionit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (Dogana dhe Antikontrabanda Detare), Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës, struktura përgjegjëse për administrimin e informacionit dhe statistikave në mjedis, struktura përgjegjëse për përpunimin e informacionit dhe statistikave në turizëm, Autoriteti Portual dhe portet detare shqiptare, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ