Rreth 150 biznese nga Durrësi, Tirana dhe me gjerë morën pjesë ditën e sotme në “Panairin e punës dhe karrierës” të organizuar në Fakultetin e Biznesit në UAMD.

Me qindra studentë lëvizën për disa orë me radhë nëpër stendat e institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjeve private për t’u njohur nga afër me mundësitë që ofronin ata për praktikat profesionale dhe punësimin e tyre.

Shumë nga studentët pohuan për “DurrësLajm” se pjesëmarrja e shumë bizneseve u jep mundësi të rinjve për të aplikuar në disa prej tyre, me qëllim që dijet e marra në leksione dhe seminare të mund t’i vënë tashmë në praktikë.

Durrësi është një nga qytetet me numrin më të madh të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e turizmit dhe sigurisht që ato nuk mund të mungonin në panair.

“Ne kemi kaluar pandeminë Covid-19 dhe shumë studentë kanë ndryshuar pozicionin e punës, prandaj është pak e vështirë për të gjetur staf profesional. Ne ofrojmë për studentët e degës së Hoteleri – Turizëm praktika pranë rrjetit tonë të hoteleve, me qëllim që të rinjtë të profilizohen në pozicione të caktuara pune”, – tha menaxheri i hotel “Harmonia”.

Në panair merrte pjesë edhe Autoriteti Portual Durrës, një nga institucionet më të rëndësishme të qytetit bregdetar. Stenda e tij ishte ndër më të vizituarat nga studentët. Marinela Kërçuku, përgjegjësja e sektorit të trajnimeve në APD, theksoi se falë bashkëpunimit që ekziston mes Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), UAMD-së dhe aktorëve të tjerë studentëve u ofrohen mundësi të shumta për praktikat e tyre profesionale, ndërsa për ekselentët edhe bursa studimi.

Ndërkohë, e pranishme në panair ishte dhe bashkia e Tiranës, që përfaqësohej nga Joniada Hito, përgjegjëse e zyrës së karrierës pranë kësaj bashkie.

“Jemi këtu për të qenë afër këtyre studentëve për kualifikimet e tyre të mëtejshme. Mund t’i asistojmë për shkrime CV, për intervistat e tyre të para të punës, nëse kanë dilema të ndryshme ne kemi 3 mjete mjaft të mira që janë teste interesi, të cilat i ndihmojnë të rinjtë të orientohen drejt interesave të tyre”,- tha Hito.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2021 shkalla zyrtare e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa tek te rinjtë ajo arriti në 23.3%. Emigrimi i të rinjve është një nga plagët e shoqërisë sonë, prandaj “Panairi i punës dhe Karrierës” hodhi një hap të parë për integrimin e të rinjve në tregun e punës për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin tonë.

VIDEO: